Dosja-Tahiri, çfarë po provon Prokuroria?

Paralajmërohen që të dalin prova të reja për lidhjet e Tahirit me drogën dhe Habilajt. Sot pritet që të publikohen detaja të reja nga dosja hetoimore e Drejtësisë italiane e zbardhur nga autoritet shqiptare. Ajo çfarë është bërë publike deri tani ka qenë vetëm një pjesë e vogël e një të vërtete dramatike të lidhjes të krimit të organizuar me qeverinë. Detaje dhe pjesë të reja nga kjo dosje që provojnë inkriminimin e ish-ministrit më të afërt të Ramës, Tahiri pritet të publikohen gjatë orëve të ditëve të ardhshme.
Sipas një deklarate të PD dje, Prokuroria po provon se 863 mijë eurot e kapura në makinën e Sotës janë të Tahirit dhe po ashtu po provohet se Tahiri ka bërë lëvizje të shpeshta me grupin kriminal të habilajve.
“Top Channel” paralajmëroi se sot do të nxjerrë dokumente të reja nga dosja e përgjimeve italiane për Tahirin dhe grupin e habiljave, duke kujtuar se dosja e parë ka qenë vetëm 416 faqe, ndërsa dojsa e vërtetë është 1800 faqe.
“Hulumtimet tona si gazetarë na kanë çuar sërish në Itali, në Katania, andej nga ka ardhur edhe dosja e plotë e çështjes Tahiri-Habilaj.
Kujtojmë që dosja Habilaj-Tahiri, që “Top Channel” publikoi i pari dhe ekskluzivisht, përmban 416 faqe. Kurse dosja e plotë që ka ardhur me letër-porosi nga Italia është 1800 faqe.
Pra, ajo që është bërë publike nga kjo dosje, është vetëm maja e ajsbergut e një historie që mund të trondisë ekuilibrat e politikës shqiptare. “Top Channel” do të publikojë vazhdimin e hulumtimit të vet për këtë çështje, i udhëhequr vetëm nga një shqetësim: ai i së vërtetës dhe interesit publik”, shprehet “Top Channel”.

Tahirit dhe Ramës po i ngushtohet laku

Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda dhanë një provë tjetër sot për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ndalimi i Saimir Tahirit për të dalë jashtë vendit është vendim i drejtë, që tregon se rrethi për Saimir Tahirin dhe shefin e tij, Edi Rama, po ngushtohet.
Çdo ditë që kalon provon:
Se Saimir Tahiri është pjesë e rëndësishme e dosjes së Prokurorisë Antimafia të Katanias.
Se Saimir Tahiri ka vendosur policinë në shërbim të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Se Saimir Tahiri ishte mbrojtja politike e Habilajve në Tiranë.
Se Saimir Tahiri ishte vetë i mbrojtur nga Edi Rama, që përfitoi nga kanabizimi i vendit miliona euro për blerjen e pushtetit të tij politik.
Siç tregojnë dokumentat e publikuara në media, dhe siç ka deklaruar opozita prej më shumë se 2 vjetësh, Shërbimi Informativ Shtetëror e ka vënë në dijeni Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për përfshirjen e 127 drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, të paktën që nga marsi i 2016-ës deri në prill të 2017-ës.
Edi Rama jo vetëm që e mohoi aktivitetin kriminal të mbjelljes së kanabisit nën mbrojtjen e policisë dhe Saimir Tahirit, por shpalli opozitën si pjesë e Frontit të së Keqes, që po hidhte baltë mbi vendin, mbi Edi Ramën dhe mbi Saimir Tahirin, ministrin e tij model të suksesit.
Tani, drejtësia po provon që Saimir Tahiri ka bërë lëvizje të shpeshta me grupin e tij kriminal të Habilajve, që trafikonin kanabisin nga Shqipëria në Itali.
Drejtësia po provon që edhe 863 mijë eurot e gjendura në makinën e Orest Sotës, i përkasin Saimir Tahirit.
Drejtësia është çështje kohe, nëse Prokuroria nuk do të merret nën kontroll nga Edi Rama!

Mesazhet për tendera të Sotës me bashkëshorten e Tahirit

Në kërkesën që i paraqitën Gjykatës për bllokimin e pasaportës dhe kartës së identitetit të Saimir Tahirit, prokurorët e Krimeve të Rënda shfrytëzuan prova të reja që u gjetën në rastin e Orest Sotës. Prokurorët gjetën në celularin e Orest Sotës mesazhet e shkëmbyera me bashkëshorten e Saimir Tahirit, për disa tendera të Ministrisë së Brendshme, raporton “Report Tv”. Dihet që Orest Sota është fitues i tenderit të rikonstruksionit të Komisariatit të Policisë në Kamëz dhe dyshimet janë se biznesmeni shërbente edhe si sekser i ish-ministrit të Brendshëm.
Pas vendimi të Gjykatës sot, Tahiri duhet të paraqitet çdo javë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Hera e fundit që Tahiri udhëtoi jashtë vendit ishte në Gjermani. Udhëtimi ishte i papritur edhe për vetë avokatin e tij që në momentet e para i tha avokatëve se nuk kishte asnjë dijeni ku ishte klienti i tij. Arsyet e këtij udhëtimi mbeten të panjohura edhe sot.

Artikulli paraprakTotti: Shakhtari nuk duhet të nënvlerësohet
Artikulli tjetërEuro nis rënien e fundvitit