Dosjet e spiunëve në duart e persekutorëve të shqiptarëve

Nënkryetari i Partisë  Demokratike, Edmond Spaho ka deklaruar në një konferencë për shtyp se, mazhoranca ka përjashtuar opozitën nga procesi për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit dhe procesi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për lidhjet e tyre me të shkuarën komuniste.
Dy do të jenë strukturat që do të verifikojnë gjykatësit dhe prokurorët, të cilët do të hyjnë në sistemin e ri të drejtësisë. Verifikimi pasuror që e bën ILDKPI, si dhe verifikimin e lidhjes me të shkuarën komuniste, të cilën do ta bëjë Autoriteti i Hapjes së Dosjeve.
Autoriteti i Hapjes së Dosjeve që pritet të krijojet do të ketë në përbërjen e tij pesë anëtarë nga të cilët njëri propozohet nga Këshilli i Ministrave, kandidati i dytë nga shoqëria civile dhe kandidati i tretë nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë. Dy kandidaturat e tjera jepen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Deklarata ka ardhur pas injorimit të marrëveshjes që ishte arritur mes opozitës dhe mazhorancës që dy kandidaturat e propozuara nga Kuvendi të sigurojnë përfaqësimin e të dy krahëve politikë.
“Për dy kandidaturat, të cilat do të propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë kam kontaktuar me z. Taulant Balla me synimin për të përshpejtuar procesin dhe u ra dakord sikurse është në traditën 25-vjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, të sigurohet përfaqësimi i të dy krahëve të spektrit politik të Kuvendit, pra nga të dy kandidaturat një të propozohet nga mazhoranca dhe një të propozohet nga opozita. Veprim, të cilin ne e kryem, e depozituam propozimin tonë me 28 firma të deputetëve, në Kuvend. Çuditërisht ditët e fundit mësova që mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura për Autoritetin e Hapjes së Dosjeve dhe synon që me mekanizmin e votës që disponon edhe në Komisionin e Ligjeve, por edhe në seancë plenare, t’i kalojë të dy kandidaturat”, është shprehur nënkryetari i Partisë Demokratike.
Në denoncimin e bërë Spaho ka thënë se, duke patur parasysh rëndësinë e çështjes është informuar direkt një përfaqësues i një vendi të rëndësishëm të BE-së dhe gjithashtu Partia Demokratike iu drejtua me një letër përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara me qëllim që të informohen për këtë rast të parecedent.
Edhe procesi i hapjes së dosjeve në Shqipëri, duket se do të realizohet pa një konsensus mes PS-së dhe PD-së. Këtë herë në lojë është përfshirë edhe LSI-ja, e cila pretendon se mban lart “flamurin e konsensusit”.
Kështu Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 6 kandidatë për 5 vendet vakante, në Autoritetin për Informimin me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Por pas debatesh të shumta, tre deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Arben Ristani braktisën mbledhjen me argumentin se, opozita rrezikon të mbetet e papërfaqësuar në autoritet, pasi mazhoranca vjen me dy emra të mbështetur, njëri nga PS-ja dhe tjetri nga LSI-ja. Bylykbashi ka propozuar dje, që shumica dhe opozita të kenë vetëm nga një kandidaturë, duke e bërë kështu të sigurt përfaqësimin e kësaj të fundit në autoritetin për dosjet.
Opozita paralajmëroi kapjen e këtij institucioni të rëndësishëm nga mazhoranca dhe deklaroi, se do t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë urgjentisht. Kandidaturat e miratuara pas më shumë se një viti e gjysmë ngërçi që nga miratimi i ligjit, do të dërgohen për votim në seancën parlamentare të ditës së enjte.

Por çfarë loje po luhet me këtë Autoritet?

Nga 5 anëtarë që ka ky institucion votimi është formal vetëm për tre që janë: Gentiana Sula që është propozim i Këshillit të Ministrave, Daut Gumeni dhe Simon Miraka si propozime të shoqatave, i pari i mbështetur nga socialistët dhe i dyti nga demokratët. Ndërkohë që për 2 anëtarët e tjerë që i takojnë Parlamentit, ka pasur 3 propozime nga 3 partitë më të mëdha PS, PD dhe LSI.
Për opozitën, mazhoranca duhet të pranojë që një vend t’i jepet opozitës dhe kjo mund të arrihet vetëm me dy kandidatura, nga një për çdo palë. Por kjo kërkesë është refuzuar nga shumica në Komisionin e Ligjeve. Pas refuzimit, opozita braktisi mbledhjen, pasi nga tri emra që propozohen nga Parlamenti, mazhoranca ka propozuar dy, duke rrezikuar që opozita të mos përfaqësohet në Autoritetin për Informimin me Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Kandidaturat që propozohen dhe do të votohen ditën e enjte janë tre. I pari është Altin Hoxha, kandidaturë e propozuar nga Grupi parlamentar i LSI dhe ka marrë mbështetjen nga 28 deputetë. Maringlen Kasmi, është kandidatura e propozuar nga Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, kandidaturë e cila propozohet dhe zgjidhet nga Kuvendi dhe është mbështetur me 28 deputetë. Dhe kandidatura e tretë është Selami Zalli, kandidaturë e propozuar nga Grupi parlamentar i PD-së, edhe kjo kandidaturë votohet nga Kuvendi mbështetur nga 28 deputetë. Emrat e 6 kandidatëve pritet që të votohen në seancën parlamentare të së enjtes, ndërsa kryetar i Autoritetit do të zgjidhet njëri nga 5 anëtarët.
Në këtë situatë duke pasur parasysh se votimi bëhet me shumicë të thjeshtë, koalicioni qeverisës që përfaqësohet me nga një kandidat për çdo parti (PS-LSI) e ka shumë të thjeshtë që të miratojë vetëm dy propozimet e veta, duke lënë jashtë atë të opozitës.

PD informon partnerët e Shqipërisë

Pyetje: Çfarë do të bëjë opozita në momentin që raporti që ka kaluar tashmë në Komisionin e Ligjeve vjen në seancë plenare të enjten, cili është hapi që do të ndërmerrni?
Duke qenë se kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme për të cilën opozita ka më shumë se një vit që është investuar dhe që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht procesin e Vettingut, që t’i shërbejë ngritjes së sistemit të ri, ne jemi në kontaktet me të gjithë aktorët që kanë rol në këtë proces. Kemi informuar direkt një përfaqësues të një vendi të rëndësishëm të BE-së dhe gjithashtu sot do t’i drejtohemi me një letër përfaqësuesve të Bashkimit të Europian dhe të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që t’i informojmë për këtë rast të paprecendent, të përjashtimit të opozitës në dy procese shumë të rëndësishme. Hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe së dyti, përjashtimin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për lidhjet e tyre me të shkuarën komuniste.

F. Shkau

Exit mobile version