Mjeku psikiatër Neli Demi duke folur në emisionin “Arnautistan” e përjashtoi një angazhim zyrtar politik.
Megjithatë ai u shpreh se do të jetë aktivisht i pranishëm në realitetin politik, në rolin e një komentuesi, kritiku, reaguesi, për atë çka ndodh.
Kam pasur rezistencë për t’u ekspozuar politikisht për arsye profesionale. Kur e pashë veten time më pas, përveç dy-tre ngërçeve ortografike, mendoj që dhashë atë që kisha brenda. Nuk ka qenë asnjëherë në mendjen time, në ambiciet e mia, që të jem një lider. Gjërat ndodhin ndonjëherë edhe pa pasur synime. Megjithatë mendoj që kam disa prioritete të tjera të rëndësishme personale, që kanë të bëjnë me jetën time private, familjen time. Një angazhim zyrtar politik do ta përjashtoja, në këtë moment dhe kështu siç ndihem tani. Por mendoj që e kam kaluar rubikonin në aspektin e ekspozimit politik dhe mendoj që do jem aktivisht i pranishëm në realitetin politik, qoftë në rolin e një komentuesi, kritiku, reaguesi, për atë çka ndodh”.
Demi u shpreh se nuk është politika që i bën njerëzit pis, apo të ngurtësuar, janë njerëzit ata që e bëjnë politikën të atillë.
Duke analizuar politikanët shqiptarë nga pikëpamja e një psikiatri, Demi tha:
Emrat janë produkt i një situate të caktuar shoqërore dhe historike, produkt i një dinamike të caktuar që ka nevojë për njerëz të fortë. Pacientë potencialisht janë të gjithë. Ne terminologjinë e fjalës pacient ka hierarki. Realiteti i kastave politike pa përjashtim karakterizohet nga probleme të forta të personalitetit. Patologji që ndikojnë jetën tonë në mënyrë gati-gati të padukshme dhe fshihen shumë mirë pas populizmit, pas spektaklit politik, pas atyre makinacioneve dhe manipulimit të mendjeve të shoqërisë”.
Ai e konsideroi si të goditur termin e Lulzim Bashës lidhur me “trekëndëshin e Bermudës” në politikë.
Trekendëshi i Bermudës në gjeografi është një trekëndësh në të cilin janë vënë re apo ka disa humbje të pashpjegueshme të mjeteve të transportit detar apo ajror. Është Basha që e ka shprehur për herë të parë. S’e kam takuar asnjëherë z.Basha. Mund të kemi komunikuar pas hapjes së fushatës ku në mënyrë korteze më falënderoi për pjesëmarrjen. Më është dukur koncept mjaft i goditur, sepse kushdo që bëhet pjesë e këtij trekëndëshi humbet. Humbet në potencialet që ka, në mundësitë që ky individ ka për të ndikuar në shoqëri. Është një trekëndësh që shtyp lirinë, iniciativën, humanitetin”.