Dr. Eljan Kasa: Shqipëria nuk ndryshon nga mëndje të burgosura!!

Nga dr. Eljan Kasa

Në Shqipëri prej dekadash, një nga format më të rënda të burgimit nuk ka qenë vetëm varfëria, padrejtësia apo mungesa e shanseve por ka qenë skllavërimi i mendjes.
Na kanë mësuar të mendojmë se ky është fati ynë, se më mirë nuk bëhet, se këta që janë qoftë në qeveri apo në opozitë, janë njëlloj. Na kanë ushqyer çdo ditë me idenë që nuk kemi fuqi, që jemi të vegjël për të ndryshuar gjërat. E kështu, shumë prej nesh kanë zgjedhur të mos ëndërrojnë më, të mos luftojnë më, të mos kërkojnë më.
Por burgu më i keq nuk është ai fizik. Burgu më i keq është ai që ndërtohet në mendje. Është frika për të kërkuar të drejtën tënde, dorëzimi përballë padrejtësisë, normalizimi i varfërisë dhe korrupsionit, pranimi i të keqes si e vetmja alternativë.
Nëse mendja jonë mbetet e burgosur, atëherë as ndryshimi politik, as ekonomia, as e ardhmja nuk mund të ndryshojnë realisht.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, është momenti të çlirohemi nga zinxhirët që na kanë lidhur me modelet e dështuara politike. Është koha të mos pranojmë më zgjedhjen mes të keqes dhe të keqes tjetër. Është koha të mendojmë ndryshe, të kërkojmë ndershmëri, të votojmë për alternativa të reja që nuk janë pjellë e sistemit të kalbur.
Mos lejoni që mendja juaj të mbetet e mbyllur në kafaz, ndërkohë që dritarja e ndryshimit është hapur.
Mos lejoni që frika të jetë më e fortë se shpresa.
Shqipëria e nesërme varet nga çlirimi që secili prej nesh bën sot në mendje, në zemër dhe në veprim.
Lirohuni nga frika dhe pasiguria.
Mendoni dhe votoni me zemër të lirë, për një Shqipëri më të drejtë!

Artikulli paraprakShqipëria meriton më shumë sesa qytete bosh me kulla
Artikulli tjetër“O me drejtësinë, o me politikanët që duan të shpëtojnë njëri-tjetrin nga burgu” – Basha me profesionistët e lirë: Mbështetja me vepra për SPAK-un është garancia që shteti të jetë në duart e qytetarëve, jo të korruptuarve