Dr. Neli Demi replikë me shkrimtarin Ben Blushi: Jo Shqipërisë Republikë Tregtare

Nga Dr. Neli Demi

Në një artikull me një titull që paralajmëron një analizë interesante politike, “Pse nuk na mjafton kthimi i të majtës në Europë”, politikani i majtë, shkrimtari, fotografi dhe rrëfimtari i fotove të tij, drejtori i mediave “të pavarura” Ben Blushi na sjell një parathënie të gjatë në formën e një analize politike të përciptë duke e përfunduar shkrimin me hedhjen e idesë së tij “të pafajshme” mbi se në çfarë lloj rregjimi duhet të shëndrrohet Shqipëria- një Republikë Tregtare!!!
E futa fjalën të pafajshme në thonjëza pasi z. Blushi e përshkruan këtë si një shëndrrim të detyruar nga gjendja në të cilën është katandisur Europa si dhe nga një armiqësi aktive e saj ndaj nesh. Pre ne, Shqiptarët, jemi të pafajshëm pasi Europa raciste ku “çdo i huaj është i dyshimtë” na ka mbyllur dyert në mënyrë të pakushtëzuar dhe po na detyron të “jemi europianë të një lloji tjetër” duke fituar duke mos bërë “si ato që duam” pra duke bërë të kundërtën e asaj që bëjnë ato qe ne duam ( europianët).

Nuk do doja të bija në kurthin e këtij artikulli i cili pretendon të analizojë “gafat” liberal-demokrate të dekadës së fundit, analizë që e cilësova si të përciptë ca më lart por që merr shpesh ngjyra Orban-iste, por do doja të përqendrohesha më së shumti në idenë e hedhur në përfundim të artikullit që duket sikur del nga hiçi si një lepur nga cilindri i një magjistari. Për mendimin tim nuk del nga hiçi, është tinzare dhe e rrezikshme!!! Pse-të e këtyre mendimeve të mia do t’i shtjelloj në fund të këtij shkrimi por më parë do doja të bëja një përshkrim alternativ të asaj që z. Blushi quan Republikë Tregtare dhe unë do e quaja Dubai-zim të Shqipërisë. Në këtë përshkrim alternativ po sjell përshkrimin e Blushit dhe alternativën time në kllapa:

“Ne e kemi provuar dikur të jemi një Republikë Ideologjike (Republika Popullore Socialiste) tani ka ardhur koha të kthehemi në një Republikë Tregtare ( Dubai), e cila merr vendime sipas interesave të veta, e hapur si ndaj perëndimit edhe ndaj lindjes (pavarësisht vlerave që përfaqsojnë dhe regjimeve mbizotëruese) dhe shumë mikëpritëse për të huajt.
Një Republikë Tregtare është ajo që respekton ligjin (çfarë ligjesh) garanton pronën (pronat e tjetërsuara), bën zgjedhje të lira ( zgjedhje të kujt?) i pranon emigrantët si fuqi punëtore (VINI RE: vetëm si fuqi punëtore aka skllevër) dhe merret më shumë me biznes se me politikë (pasi politika është një gjë e ndyrë dhe këtë gjë e kemi vërtetuar këto 34 vite). Për një Republikë Tregtare bota është një aleancë tregjesh (aleancë pazaresh) më shumë se një treg aleancash ( aleancë vlerash). Republikat Tregtare jetojnë në paqe me të gjithë dhe strehojnë pa dallim të gjithë ata që zhgënjehen si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi, si nga e majta si nga e djathta, qofshin emigrantë, refugjatë, pelegrinë, nomadë, turistë, pensionistë apo mëkatarë fiskalë të cdo lloji (mashtues financirë dhe para-larës)
Nëse në Europë, çdo i huaj është një problem (për t’u zgjidhur në një mënyrë sa më dinjitoze) në një Republikë Tregare çdo i huaj është një pasuri (për t’u shfrytëzuar) Bankat e Republikës Tregtare janë të hapura për këdo (pavarësisht se në çfarë mënyre i ka bërë paratë) ndërkohë që Bankat e Europës janë sportelet e para të policisë (që kontrollon nga vijnë dhe si janë bërë paratë). Nëse në Europë çdo i huaj është i dyshuar (vetuar) në një Republikë Tregtare çdo i huaj që blen (pavarësht me çfarë parashë), që shet (pavarësisht se kujt ia shet dhe çfarë shet) dhe punon ( ul kokën dhe nuk bzan) është i mirëpritur. Prandaj, ndërkohë që vendet e tjera mendojnë për taksat dhe sigurinë, Republika Tregtare mendon për çmimet dhe harmoninë. Ky është ndryshimi ( Një Europë ku njerëzit trajtohen me dinjitet dhe ku vlerat kanë rëndësi dhe një Republikë Tregtare-Shqipëria e Blushit, ku banorët e saj janë të gjithë prodhues e konsumatorë me vlerën e vetme paranë)
Në një Europë të mbyllur ( me rregulka) Shqipëria mund të jetë vendi më i hapur ( ku po pagove të gjitha dyert hapen). Siç ndodh shpesh në familje ndodh edhe në histori : fiton duke mos bërë si ata që do ( shpesh ndodh që bën edhe të kundërtën e atyre që do).”

Më lart përmenda faktin që kjo ide nuk del nga hiçi, është tinzare dhe e rrezikshme. Nuk del nga hiçi pasi shenja të strategjive të Dubai-zimit të Shqipërisë kanë kohë që janë shfaqur pasi i gjithë vendi dhe sidomos Tirana është shëndrruar në një kantier qiell-gërvishtësish që tejkalojnë ekstremisht nevojat e popullatës së ngelur këtu për banim dhe bizneseve për ambjente. Qeverisja e vendit në mënyrë aktive ka inkurajuar shpopullimin në masë ku tashmë kemi ngelur më pak se gjysma e popullsisë së 30 viteve më parë. Politika qëllimisht po menderoset si një leckë e pavlerë dhe ku transaksionet financiaro-politike po zëvendësojnë në një mënyrë tinzare vlerat dhe ideologjinë. Kjo ka prodhuar një rraskapitje të nervit politik të qytetarëve dhe ka përgatitur mirë terrenin për një republikën e Blushit. Një ide e tillë është tmerrësisht e rrezikshme pasi e shëndrruar në realitet do konturonte përfundimisht dhe në mënyrë të parikthyeshme një Republikë distopike.

Artikulli paraprakÇorba e Ballukut me taksën Kashar-Thumanë, 2.1 euro apo 270 lekë/ Ministria sqaron tarifën, pagesat i konsideron “testime”
Artikulli tjetërPërfitoi tendera abuziv, SPAK sekuestron kompaninë “5D Konstruksion”