Draft-ligji për Policinë e Shtetit minon besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë publike

Nga Myzafer Elezi

Tashmë është bërë publike, iniciativa e qeverisë për të ndryshuar ligjin për Policinë e Shtetit. Ky draft ligj, në vend që të përqendrohet në përmirësimin e funksionimit dhe efikasitetit të Policisë së Shtetit, duket si një tjetër përpjekje e qeverisë për të shfrytëzuar organizatën e policisë për qëllime të ngushta politike dhe propagandistike.

Në themel të këtij projektligji të ri ka vetëm propagandë dhe asgjë me interes të shtuar për organizimin dhe mirëfunksionimin e strukturës shumë të rëndësishme në vend për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë publike, siç është Policia e Shtetit.

Ky draft-ligj ngjan më shumë me një Rregullore dhe shpesh herë përfshin nene të veçanta, dispozitat e të cilave i përkasin Procedurave Standarde të Punës. Në këtë kuadër, draft ligji i ri i propozuar asnjë impakt pozitiv nuk sjell për Policinë e Shtetit.

Ndër ndryshimet më problematike, është shkrirja e gradave policore të rolit bazë në një gradë të vetme. Ky ndryshim nuk merr në konsideratë vjetërsinë në karrierë, duke barazuar një student të sapodiplomuar me një punonjës me përvojë disa vjeçare dhe të mirë trajnuar, me të njëjtën gradë. Gradat si, nëninspektor, inspektor dhe kryeinspektor shkrihen në një gradë të vetme, duke dëmtuar rëndë hierarkinë dhe sistemin e gradimeve.

Gjithashtu, drafti është i shkruar keq dhe përmban shumë paqartësi dhe pasaktësi. Konkretisht:

1. Përdorimi i termave të pasakta: Në nenin 9 të draft ligjit, termi “Funksionet e Policisë së Shtetit” është përdorur gabimisht në vend të termit “Përgjegjësitë”. Termi “funksion” lidhet me detyrën funksionale në organigramë, ndërsa veprimet që duhet të ndërmarrë punonjësi i policisë janë përgjegjësi ligjore.

2. Konfuzion në termat procedurialë: Nenet 20 dhe 22 paraqesin konfuzion lidhur me termat “Ndalimin e përkohshëm policor” dhe “Shoqërimi i detyrueshëm”, të cilat duhet të zgjasin deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 5 orë. Këto janë veprime procedurale që kryhen me urdhër të gjykatës, të prokurorit apo me iniciativë sipas rastit. Hartuesit e draftit nuk janë konsultuar fare me nenet 164 dhe 253 të Kodit të Procedurës Penale për terminologjinë, kuptimin dhe afatet e shoqërimit apo ndalimit të personit.

3. Përcaktime jo serioze për strukturat operacionale: Neni 47 i draft ligjit parashikon se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është strukturë qendrore, administrative, jo-operacionale. Ky përcaktim është jo serioz dhe i papranueshëm, pasi Drejtoria e Përgjithshme është strukturë operacionale që kryen edhe detyra operacionale në shkallë vendi. Është e paqartë nëse ministri është ose jo në dijeni që Policia kryen edhe veprime operacionale.

4. Mandat për drejtorët e Drejtorive Vendore: Në nenin 60 të draft ligjit, parashikohet që drejtori i Drejtorisë Vendore qëndron në detyrë për një periudhë prej 3 vitesh, me të drejtë riemërimi.
Mendojmë se nuk është nevoja për mandat të tillë, pasi kjo mund të çojë në privatizimin e një funksioni dhe pengon ecurinë në karrierë të të tjerëve. Drejtorët duhet të qëndrojnë në detyrë bazuar në performancën dhe meritat e tyre, jo sipas kufizimeve të mandateve të përcaktuara në mënyrë arbitrare.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të shprehim disa shqetësime dhe argumente kyç ndaj këtij draft ligji:

• Draft ligji i propozuar cenon profesionalizmin dhe meritokracinë në Policisë e Shtetit. Ndryshimet e propozuara në ecurinë në gradë dhe sistemin e karrierës rrezikojnë të dëmtojnë rëndë parimet e profesionalizmit dhe meritokracisë brenda Policisë së Shtetit. Gradimet dhe promovimet duhet të bazohen në meritat, përvojën dhe aftësitë profesionale të punonjësve, dhe jo në preferencat politike apo ndërhyrjet e jashtme.

• Draft ligji i propozuar demotivon punonjësit e Policisë së Shtetit. Ndryshimet e propozuara do të çojnë në një demotivim të thellë të punonjësve të policisë, të cilët do të ndihen të pavlerësuar ose të vlerësuar keq. Punonjësit e rolit bazë me përvojë që ulen në gradë për shkak të këtij ligji ndihen të fyer moralisht dhe profesionalisht. Një organizatë policore e demotivuar është më pak e efektshme në kryerjen e detyrave të saj dhe në garantimin e sigurisë publike.

• Draft ligji i propozuar mund të përbëjë rrezik për stabilitetin dhe efikasitetin e Policisë së Shtetit. Ndryshimet e propozuara mund të krijojnë një klimë të pasigurisë, të paqendrueshmërisë dhe destabilitetit brenda organizatës së policisë, duke dëmtuar funksionimin e saj efikas. Stabiliteti dhe efikasiteti i Policisë së Shtetit janë të domosdoshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike të qytetërëve.

• Draft ligji i propozuar ligji nuk përmban analiza të thelluara teknike dhe profesionale mbi ndikimin që këto ndryshime do të kenë në strukturën dhe funksionimin e Policisë së Shtetit. Ndryshime të tilla duhet të jenë të bazuara në studime dhe konsultime të gjera me ekspertët dhe vetë punonjësit e policisë.

• Draft ligji i propozuar synon përdorimin e Policisë së Shtetit për propagandë politike. Në vend që të përqendrohet në përmirësimin real të Policisë së Shtetit, draft ligji duket se është një përpjekje për të përdorur organizatën e policisë si mjet për propagandë politike. Kjo është një praktikë e papranueshme që minon besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë publike.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, kërkon nga qeveria që të rishqyrtojë me kujdes këtë draft ligji dhe të marrë parasysh mendimet dhe shqetësimet e ekspertëve, punonjësve të policisë dhe publikut të gjerë. Një reformë e qëndrueshme dhe efektive e Policisë së Shtetit duhet të bazohet në parimet e profesionalizmit, meritokracisë dhe stabilitetit organizativ, dhe jo në interesa të ngushta politike apo propagandistike.

Artikulli paraprak“Kriminelët janë tërhequr”/ Artan Hoxha krah SPAK: Ka patur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar
Artikulli tjetërNjë grek dhe dy shqiptarë: atentati i dështuar kundër Abdylhamidit II në vitin 1879