Draft plan i ri për të trajtuar cilësinë e ajrit

Në një takim me ekspertë projekti i financuar nga BE IBECA dhe specialistë nga Ministria e Mjedisit prezantuan dhe diskutuan një draft të planit kombëtar për cilësinë e ajrit.
Ky është plani i parë kombëtar për menaxhimin e cilësisë së ajrit, i cili është i bazuar në legjislacionin e BE-së -Acquis Communutaire.
Paolo Bacca – Drejtues i projektit për Forcimin Institucional për Zbatimin e Legjislacionit të Mjedisit dhe Klimës – IBECA, tha se “ky është një hap përpara në lidhje me implementimin e legjislacionit mbi menaxhimin e cilësisë së ajrit” dhe që ndjek hapa të mëparshëm për transpozimin e Direktivave të BE-së mbi ajrin e pastër dhe uljen e metaleve të rënda në mjedis.
Menaxheri i sektorit të mjedisit dhe energjisë pranë Delegacionit të BE-së, Antoine Avignon tha se, “duke adoptuar këtë plan, qeveria bie dakord që në mënyrë aktive të reduktojë ndotësit, të cilët dalin nga makinat, bizneset dhe ndërtimi”. Ai përmendi se tani ekspertët e kanë bërë nisjen e punës dhe i mbetet ligjvënësve dhe qeverisë për ta bërë këtë plan që të funksionojë për qytetarët shqiptarë.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri tha se është e nevojshme të investohet në monitorimin e ajrit duke rritur numrin e stacioneve në vend dhe veçanërisht në Tiranë ku operon vetëm një stacion. Monitorimi i cilësisë së ajrit është një komponent kryesor për çdo qasje efektive për menaxhimin e cilësisë së ajrit sepse jep evidencë për vendimmarrësit për menaxhimin dhe përmirësimin e mjedisit tonë.
Aktivititeti vazhdoi me diskutime nga ekspertë të cilësisë së ajrit, të cilët prezantuan fushat kryesore ku autoritetet shqiptare duhet të fokusohen për të përmirësuar dhe mbrojtur standardet e cilësisë së ajrit. Ata prekën mbështetjen financiare që nevojitet për të zbatuar planin e ri, si dhe shpjeguan cilat institucione dhe autoritete duhet të përfshihen.
Mbështetja e BE-së për Shqipërinë është zgjeruar edhe në fushën e legjislacionit të mjedisit. Projekti IBECA po asiston duke ndërtuar kapacitete për të zbatuar rregullat mbi mjedisin dhe klimën të miratuara nga Komisioni Evropian, të cilat janë të aplikueshme edhe për vende si Shqipëria, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE.

Exit mobile version