Drafti i BE: Zgjedhje të lira e dekriminalizim

Bashkimi Europian është i prerë dhe pritet të sanksionojë në një qëndrim zyrtar plotësimin e të gjitha kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Komisioni i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri duket se do të vendosë një nga kushte më të forta për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Rithekson se sigurimi dhe zbatimi i plotë i kushteve për zgjedhje demokratike është shumë i rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në draft-deklaratën që u diskutua në Bruksel në datat 7 dhe 8 nëntor.
Po cilat janë këto kushte? Bëhet fjalë për krijimin e infrastrukturës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një pikë e fortë e Komisionit Europian është zbatimi i ligjit të dekriminalizimit. Madje draft-deklarata shkon edhe më tej kur kërkon finalizimin për hetimet e nisura ndaj elementëve të inkriminuar që tashmë janë në proces gjykimi, sikurse është rasti i Rroshit, Prengës, Bushit dhe elementëve të tjerë. “Duhet të forcojnë procesin e shqyrtimit (vlerësimit) të individëve duke marrë në konsideratë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të finalizojnë në përputhje me ligjin hetimet e hapura”, thuhet në draft-deklaratë.
Komisioni parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ka përgatitur një draft, i cili do të shtrohet për diskutim dhe miratim më pas në strukturat e Komisionit Europian. Drafti ka pika të forta kur kërkon ndëshkime në nivelet e larta për zyrtarë të korruptuar. Ajo që bie në sy në këtë draft-raport është edhe deklarata se zyrtarë të lartë kërkohen të dënohen edhe për lidhje me krimin e organizuar.
“Reformat e marra nuk kanë dhënë ende plotësisht rezultatet e dëshiruara; nënvizon, kështu, se mbetet akoma shumë për të bërë, në veçanti një mënyrë për të zhvilluar një regjistër efikas hetimesh, procedimesh dhe vendime të dënimeve të formës së prerë për korrupsion në nivele të larta drejtuesish dhe për krimin e organizuar”, thuhet në draft-raportin e Komisionit.

6 pikat e forta të draft-deklaratës së BE

1. Nënvizon se anëtarësimi në BE duhet të jetë një proces gjithpërfshirës; thekson edhe një herë se dialogu politik dhe bashkëpunimi ndërmjet partive është e rëndësisë më të madhe për suksesin e këtij procesi reforme dhe për procesin e anëtarësimit të përgjithësi; nënvizon nevojën për të përfshirë shoqërinë civile në proceset e reformave dhe nevojën për më shumë transparencë dhe mbikëqyrje parlamentare;
2. Shprehet i kënaqur se Shqipëria mori hapa të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa ishte vënë në pah, ndër të tjera, në takimit e 8-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit; vlerëson miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (bilbilfryrësve); bën megjithatë thirrje për të rritur edhe më shumë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zbatojnë ligjet plotësisht; u bën thirrje institucioneve përkatëse të vazhdojnë zbatimin e ligjit për integritetin e personave që zgjidhen ose emërohen në funksione publike dhe të forcojnë procesin e shqyrtimit (vlerësimit) të individëve duke marrë në konsideratë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të finalizojnë në përputhje me ligjin hetimet e hapura;
3. Kujton se një reformë gjithpërfshirëse e sistemit në drejtësi është një mjet i rëndësishëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin; vë në dukje se nivelet e perceptuara të korrupsionit në vend kanë mbetur të larta dhe se reformat e marra nuk kanë dhënë ende plotësisht rezultatet e dëshiruara; nënvizon, kështu, se mbetet akoma shumë për të bërë, në veçanti në mënyrë për të zhvilluar një regjistër efikas hetimesh, procedimesh dhe vendime dënimi të formës së prerë për korrupsion në nivele të larta drejtuesish dhe për krimin e organizuar;
4. Rithekson se sigurimi dhe zbatimi i plotë i kushteve për zgjedhje demokratike është shumë i rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE; nxit komisionin e posaçëm për reformën elektorale dhe autoritetet shqiptare që të sigurojnë që reforma të zbatohet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke shqyrtuar çështjet më të rëndësishme në kohë përpara zgjedhje të ardhshme më 2017.
5. Nxit autoritetet shqiptare që të kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm të standardeve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore; nënvizon nevojën për të miratuar Ligjin për Minoritetet duke garantuar mosdiskriminimin, të drejta të barabarta dhe mbrojtje, integrim të plotë dhe pjesëmarrje të të gjitha minoriteteve në jetën publike të Shqipërisë;
6. Nxit të gjitha palët që të punojnë së bashku në mënyrë që të krijojnë një mjedis që promovon liri të mirëfilltë të medias dhe liri të të shprehurit, duke shmangur çdo lloj censure në media. Inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në rrugën e reformave të marra në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, që ka kontribuar gjithashtu në përmirësimin e renditjes së Shqipërisë në treguesin “Doing Business 2016”.

Artikulli paraprakBasha: Gjithçka për të mbrojtur jetën e qytetarëve
Artikulli tjetërTre të vdekur, situata nga përmbytjet jashtë kontrollit