Numri i shkollave të sistemit arsimor të detyrueshëm në vendin tonë ka pësuar një rrudhje drastike. Vetëm në 10 vitet e fundit, të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se janë mbyllur 22% e shkollave 9 -vjeçare.
Më konkretisht prej vitit 2012 deri në 2022 iu vu çelësi 295 institucioneve të arsimit të detyrueshëm dhe numri i tyre zbriti në 1051 nga 1346 shkolla që ishte në vitin 2013.
Në dekadën e fundit Shqipëria është prekur nga rënia e shpejtë e numrit të nxënësve që ka shkaktuar një sërë efektesh zinxhir, si mbyllja e shkollave apo shtimi i klasave kolektive, duke ndikuar edhe në universitete që po përballen me mbylljen e disa degëve deri në boshatisje.
Mbyllja e shkollave është diktuar nga ulja e shpejtë e numrit të nxënësve, e cila ka prekur vendin tonë dekadën e fundit.
Sipas INSTAT, nga 2011 më 2023,numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Ndikimin më të madh e kanë pësuar zonat rurale.
Fenomeni i tkurrjes së nxënësve është i shtrirë në të gjitha nivelit e arsimit, bazë, parauniversitar dhe universitar.
Në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7 %, krahasuar me një vit më parë.
Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti morën pjesë gjithsej 66.711 fëmijë ose 4,4 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, nga të cilët 54,7 % në arsimin fillor dhe 45,3 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-2023 në këtë cikël arsimor u regjistruan 3,4 % më pak nxënës.
Edhe në arsimin e lartë vihet re e njëjta tendencë vit pas viti. Në vitin akademik 2023-2024 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6 % krahasuar me 2022-2023./citizens.al