Drama e të rinjve shqiptarë. Të diplomuar, nën 30 vjeç por të papunë

Të rinjtë shqiptarë po kalojnë kohë të vështira. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se papunësia në moshat e reja po rritet me ritme shpërthyese nga viti në vit. Sipas INSTAT, vetëm në 3 vitet e fundit, shkalla e papunësisë tek të rinjtë nën 30 vjeç është rritur me 7.2 pikë përqindje. Më konkretisht, nëse në vitin 2012 papunësia tek të rinjtë ishte 26%, vitin e kaluar ajo kërceu në 33.2 për qind. Të dhënat tregojnë se femrat janë ato me nivelin me të lartë të papunësisë duke patur një normë prej 34.7 për qind, ndërsa tek meshkujt e rinj ky tregues është 32.3 për qind. Të rinjtë po e kanë gjithmonë e më të vështirë të gjejnë një punë, teksa rritja ekonomike mbetet e ulët dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në ekonomi qëndron rreth niveleve 70 për qind, sipas Bankës së Shqipërisë.

Të papunë me diplomë

Kryeministri Edi Rama u shfaq i nervozuar pak kohë më parë, kur deklaroi se Shqipëria ka punë, por i mungojnë profesionistët. I vënë përballë trysnisë në rritje nga rezultatet zhgënjyese në tregun e punës, kreu i qeverisë u mundua ta gjente problemin tek niveli i edukimit dhe aftësitë e forcës së punës. Por të dhënat tregojnë se  drama e papunësisë ka prekur edhe shtresën më të arsimuar të të rinjve. Sipas INSTAT, gjatë 2015-ës papunësia tek të rinjtë që kanë mbaruar universitetin u rrit për të tretin vit rresht. Të dhënat tregojnë se aktualisht 20.2 për qind e të rinjve që kanë mbaruar studimet e larta janë të papunë. Ky është një nivel i lartë papunësie. Më i lartë edhe se sa norma mesatare e papunësisë në shkallë vendi, çka rrëzon tezën se shkaku i papunësisë është mungesa e arsimimit të forcës punëtore. Ky është një problem që pritet të bëhet edhe më i mprehtë gjatë viteve në vijim. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit tregojnë se çdo vit diplomohen 40 mijë të rinj, të cilët i shtohen tregut të punës.  Por ekonomia nuk ka kapacitet të krijojë vende pune në këto nivele, çka do të thotë se shumica e tyre do i shtohen armatës së të papunëve të shkolluar

Artikulli paraprak40 milionë euro të tjera për Portin e Durrësit
Artikulli tjetërPopullsia po plaket, harta botërore: Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt zonës së rrezikshme