Dramatike, Banka e Shqipërisë: 21% e familjeve i blejnë ushqimet me listë

21% e familjeve shqiptare blejnë artikuj konsumi me listë në dyqane. Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, blerja e mallrave me pagesë të vonuar nga dyqanet është një zërat kryesorë të borxhit të familjeve shqiptare. Gjithsej, familjet që kishin një hua për të paguar në gjysmën e parë të këtij viti përbënin 28% të totalit të familjeve të anketuara, peshë kjo e njëjtë me vitin e kaluar.
Qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve janë blerja apo riparimi i pronave, zhvillimi i biznesit dhe konsumi. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ngarkesa me borxh është e përballueshme. Për 77% të familjeve kësti mujor i huasë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore. Raporti prej 30% mes këstit të kredisë dhe të ardhurave është afërsisht kufiri që përdoret nga bankat në përcaktimin e aftësisë paguese të familjeve për të marrë kredi.
Duket se familjet shqiptare nuk kanë ndonjë prirje për të rritur huamarrjen, pavarësisht se statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme të kredisë për individë. 62% e familjeve kanë deklaruar se nuk parashikojnë të marrin hua gjatë pjesës së mbetur të këtij viti. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë është kryer mbi një kampion rastësor prej 1210 familjesh, ku rreth 56% jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.

Exit mobile version