Wolfsburgu nxorri jashtë skuadre Julian Draxler për ndeshjen me Bajernin, e me shumë mundësi nuk do të luajë as në takimet e ardhshme. Klubi kërkon ta shesë në janar. Në majin e kaluar i intervistuar nga mediat italiane, futbollisti kishte pranuar që në verën e 2015 kishte gjetur akordin me Juventusin. Pas Europianit deklaroi për “Bild”, “Dua të iki, nuk e di përse trajneri Hecking, dhe drejtori sportiv Allofs më mbajnë me zor. Pasi dështoi vitin e kaluar, Wolfsburgu këtë sezon po bën edhe më keq, ndërsa të shtunën e kaluar, gjatë ndeshjes së humbur me Hertën, Draxler u vërshëllye nga tifozët e tij.
Gjatë kësaj javë, Allofs pranoi se çështja e tij ishte menaxhuar keq, dhe do të kishte qenë më mirë që lojtari të ishte shitur në gusht. Tani reagimi i Wolfsburgut është konkret, me “Bild” që raportoi se vetëm Draxler mungonte në udhëtimin e skuadrës drejt Mynihut. Në drejtim të tij mbetet ende interesimi i Juventusit, edhe pse bardhezinjtë, ndërkohë kanë marrë lojtarë të ngjashëm me të, si Marko Pjaca. Një pistë e mundshme është dhe ajo e PSG që tentoi ta merrte që në verë, ndërsa në lojë është dhe Arsenali, ku Draxler do të luante pranë Ozil.
Ditët e fundit edhe Ançeloti konfirmoi interesimin e Bajernit, por përjashtoi mundësinë që klubi bavarez ta merrte në janar. Kjo, pasi nëse tani Wolfsburgu pretendon të marrë 75 milionë euro për kartonin e tij, në qershor do të fillojë të kete efekt një klauzolë sipas së cilës Draxler mund ta zgjidhë kontratën me klubin. Gjithsesi duket se në merkaton e janarit, do të jetë pikërisht ai lojtari më i dëshiruar.
Ndërkohë, braziliani Willian duket se ka rilindur në drejtimin e Antonio Contes, i cili e konsideron si një lojtar të pazëvendësueshëm në mesfushën e Chelseat. Në vitin 2013, ai u transferua nga Anzhi në Londrën veriore dhe beson se vendimi për t’u bashkuar me Chelsean dhe jo Tottenhamin ishte i duhuri. Pas arritjes së marrëveshjes paraprake me “Spursat” dhe kaimin me sukses të testeve mjekësore, Willian ndryshoi mendim, duke vendosur veton për transferimin te Chelsea pasi ishte Jose Mourinho, ai që e bindi me një ofertë të majme.
“Nuk di si ta shpjegoj atë moment, por mund të them se ëndrra ime ishte pikërisht Chelsea dhe bëra një zgjedhje me zemër. Jam shumë i lumtur që luaj për Chelsean edhe pse ishte shumë e vështirë të refuzoja ofertën e Tottenham. Kur në momentet e fundit Chelsea më kontaktoi, u detyroja t’ju sqaroja drejtuesve të Tottenham, se nuk mund të formosja”, thekson braziliani në një intervistë dhënë për kanalin zyrtar të “bluve” në Youtube. Gjatë këtij sezoni, Willian ka shënuar 3 gola dhe ka ndihmuar skuadrën e Contes të rigjejë buzëqeshjen pas një sezoni poshtë pritshmërive.