Drejt lirimit autori i sulmit ndaj anëtarëve të fisit Çapja

Duket se autori i sulmit ndaj anëtarëve të fisit Çapja në Elbasan po shkon drejt lirimit nga burgu. Prokuroria e Elbasanit ka ndryshuar kualifikimim e veprës penale për Shkëlzen Hasanpapaj, i akuzuar si autor i sulmit ndaj anëtarëve të fisit Çapja në Elbasan gjatë vitit 2016. 20-vjeçari u akuzua nga Prokuroria si një nga personat që dyshohet se kishte qëlluar me arme zjarri në drejtim të Florenc Çapjes dhe mikut të tij, Bledar Muça. Ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa Hasanpapaj ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin që largohej nga vendi i ngjarjes.
Fillimisht dosja hetimore nisi me akuzën për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë ndaj Çapjes dhe Muçës. Por më datë 19 janar 2018, kjo akuzë është ndryshuar në “kanosje me armë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosjes së lehtë me dashje” në dëm të Bledar Muçës dhe efektives së Policisë, Matilda Kërmezi.
Kërkesa për ndryshimin e akuzës është miratuar edhe nga prokurori i komanduar në Elbasan, Ardian Nezha. Hetimi për këtë dosje ka përfunduar me mesin e muajit janar 2018 dhe prokurorja e çështjes ka qenë Eliverta Murra.
Para saj dy prokurorë të tjerë kishin dhënë dorëheqjen. Hasanpapaj u arrestua vjet në Holandë. Ish-Kryeministri Berisha shkroi se, Hasanpapaj është pjesë e bandës, ku është pjesë edhe dhëndri i kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Në disa portale shkruhet se edhe kryeprokurorja e re, Arta Marku, po mban krah në këtë histori përplasjesh. Ata i referohen zbutjes së akuzave ndaj Shkëlzen Hasanpapajt, i dyshuar për sulmin me armë ndaj bandës së Çapjave. Por të premten u raportua se, Drejtoria e Inspektimit në Prokurori ka nisur inspektimin e prokurorëve që kanë vendosur për rastin e Hasanpapajt.
Dosja “Hasanpapaj” është tashmë në duart e gjykatësit të hetimeve paraprake, i cili pritet të vlerësojë nëse Prokuroria e ka bërë si duhet punën në këtë rast.

Artikulli paraprakVdesin dy të moshuar në Durrës
Artikulli tjetërProtestuan kundër impiantit të plehrave, Gjykata e Fierit liron 4 të arrestuarit