Drejt një fitoreje historike

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ndau dje me të rinjtë e kryeqytetit programin e PD për qeverisjen e katër viteve të ardhshme. Plani im ekonomik funksionon në SHBA, në Gjermani, do të japë rezultate të menjëhershme në Shqipëri.
Lulzim Basha foli me të rinjtë e Njësisë 5 në Tiranë mbi programin ekonomik për të rritur punësimin e tyre. Basha tha se ka një plan ekonomik të kombinuar që jep rezultat, duke nisur me 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit, një urë e sigurtë drejt një vendi pune.
“Stazhet do të bëjnë lidhjet midis të sapodiplomuarve apo atyre që janë në përfundim të universitetit dhe tregut të punës. Secili prej jush do të ketë mundësinë të integrohet në tregun e punës. 10 mijë më të mirët që përfaqësojnë 50% të atyre që diplomohen do të kenë mundësi për një stazh pune me pagesë, 200 mijë lekë në muaj për 1 vit. Kjo do u japë mundësi që të njihni tregun. 75 deri në 90% e atyre që bëjnë një stazh pune, e gjejnë një vend pune. Të 1360 shkollat do të jenë shtëpia e dytë e fëmijëve dhe të rinjve që studiojnë aty. Do të kenë të gjitha kushtet laboratorike për të kryer praktikat, do të kenë drekën e paguar nga buxheti i shtetit dhe mundësinë për të vazhduar deri në orën 16.00 me aktivitete passhkollore”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se ligji për arsimin e lartë do të anulohet. “Ndryshimi i parë do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë. Ky është një ligj jo thjesht klientelist dhe korruptiv, por edhe ligj amullie që jo vetëm nuk zgjidh asgjë, por përkeqëson shumë gjëra”, tha Basha.

Investime serioze në fushën e teknologjisë

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka prezantuar me detaje programin për rininë dje në një takim të hapur me të rinj tek Liqeni Artificial i Tiranës duke filluar nga anulimi i Ligjit “Për Arsimin e Lartë”, heqjen e barriera financiare për studentët, shtim dhe nxitje të degëve të teknologjisë së informacionit, industrive, si dhe mjekësisë.
Basha njoftoi se, “ne presim investime serioze në fushën e teknologjisë së informacionit nga kapitenët e industrisë së teknologjisë së informacionit në Silicon Valley” dhe shfaqi ambicien se ato mijëra vende pune të hapura nga Silicon Valley në Indi, duhet të hapen në Shqipëri.
Basha tha: “Sistemi arsimor do të ndryshojë dhe standardizohet sipas normave europiane. Qëllimi kryesor do të jetë që sistemi të ballafaqohet me sfidat e tregut të punës, në mënyrë që forca e re punëtore të ketë të gjitha cilësitë dhe përgatitjet për të punuar me të njëjtin standard në vendet e BE.
Për këtë arsye do të bëjmë disa ndryshime. I pari do të jetë anulimi i ligjit të arsimit të lartë që ka në thelb një hile, që kërkon të nxjerrë më shumë para nga xhepat e prindërve tuaj e që nuk shkojnë për universitetet publike, por për pllaka, palma, fishekzjarret e lali Erit”.

Ligji i ri për arsimin, jo më barriera financiare për të rinjtë

Ligji i ri i Arsimit të Lartë po bëhet gati dhe nuk do të ketë më barriera financiare për të rinjtë e të rejat shqiptare, sipas modelit europian. Sot ata menaxhohen nga politikanët. Sa herë politikanët kanë futur duart në botën akademike, ata vetëm kanë prishur dhe ne do t’ua mundësojmë që botën akademike ta marrin akademikët dhe studentët.
Liria e përzgjedhjes do të bazohet tek merita dhe preferenca.
Degët që kanë lidhje me tregun do të kenë financim më të lartë; degët e teknologjisë së informacionit do të kenë prioritet absolut.
Mirëpo, përveç taksave të ulëta dhe klimës miqësore ndaj biznesit, kusht është një rini e përgatitur. Rinia shqiptare ka pasion për teknologjinë e informacionit.
Ne presim investime serioze në fushën e teknologjisë së informacionit nga kapitenët e industrisë së teknologjisë së informacionit në Silicon Valley, në atdheun e IT dhe komunikimit.
Shteti duhet të investojë seriozisht për t’i përgatitur të rinjtë, jo thjesht për call center, por për t’i përgatitur programues, inxhinierë, ndaj investimet kryesore do të jenë në degë të tilla si teknologjia e informacionit dhe industritë e tjera, si inxhinieria mekanike, elektrike, e minierave, e naftës, ekonomia, menaxhimi e biznesit, agroturizmi, agrobiznesi, degë ku ne kemi nevojë të ngutshme apo degë si pedagogjia apo mjekësi.
Në mjekësi ne kemi rënë në nivele të Afrikës Ekuatroriale, një mjek për 1700 punonjës, që është një katastrofë.
Ne jemi parti e lirisë dhe besojmë tek oportuniteti i lirisë, por kjo nuk do të thotë që shteti të rrijë duarkryq e të mos besojë asgjë.
Nisur nga programi i qeverisë së Merkel dhe Trump, do të luftojmë për hapjen e vendeve të punës. Nga gjimnazi në universitet, nga universiteti në vendet e punës.
Pyetjes nga studentët: A do të ketë shtim të degëve të teknologjisë së informacionit?, Basha iu përgjigj: “Unë i parapriva asaj pyetjeje, sepse unë besoj fort. Silicon Valley po investon në Indi. Ka qytete atje që po prodhojnë pajisje për tregun europian. Nuk është vetëm kostoja e ulët e krahut të punës. Çfarë avantazhi kemi ne në raport me Indinë? Ne jemi në zemër të Europës. Vendet e zhvilluara, standardi blerës europian që është më i larti në botë dhe ne që jemi në zemër të këtij tregu është potencial, është avantazh që ne nuk e kemi cekur fare. Kemi filluar diçka me call center, po kjo do të thotë vetëm ta gërricës.
Është me të vërtetë problem rritja e moshës së popullsisë në Shqipëri, që ka qenë 27 vjeç dhe sot është 35 vjeç! Po prapë, është më e re se në Gjermani. Por rinia po ikën në emigracion, Shqipëria shuhet. Kështu që duhet që këtë potencial që kemi këtu ta përdorim për veten tonë, sepse asgjë nuk na pengon veç një vizioni, plani politik që ta vëmë në vijë.

Artikulli paraprakPremtuan vende pune në këmbim të votave pezullohen dy drejtorë
Artikulli tjetërMe zullumin e Republikës së vjetër s’ka bashkëjetesë