Projekti për rehabilitimin e plotë të rrugës “Demokracia”, rruga kryesore e Paskuqanit, është drejt realizimit të tij. Investimet e Bashkisë Kamëz vazhdojnë të kryhen pavarësisht vetos qeveritare. Përpos dhjetëra projekteve në infrastrukturë, një prej investimeve shumë të rëndësishme të Bashkisë Kamëz është edhe ndërtimi i rrugës “Demokracia”, 7 km, që nis nga ura e Institutit Bujqësor në Paskuqan.
Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, ka inspektuar punimet e këtij investimi tejet të rëndësishëm që u vjen në ndihmë jo vetëm mbi 50 mijë banorëve të Paskuqanit, por edhe lidhjes së atyre që qarkullojnë përmes këtij aksi rrugor me Tiranën. Në projektin e hartuar nga specialistët e urbanistikës në Bashkinë Kamëz është parashikuar ndriçimi rrugor dhe gjelbërimi gjatë gjithë gjatësisë. Ky segment rrugor i rëndësishëm për komunitetin e banorëve ka trotuare në të dyja anët si dhe është pajisur edhe me sinjalistikë horizontale dhe vertikale. Realizimi i projektit bën të mundur jo vetëm lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe të automjeteve, por është një mundësi më shumë që kjo zonë të zhvillohet më tej, duke qenë se do të shtohet numri i bizneseve të reja. Kjo do të sjellë edhe rritjen e numrit të të punësuarve dhe mirëqenien e komunitetit.
Përveç këtij investimi, rreth 30 projekte të reja për vitin 2017 do të realizohen në Njësinë Administrative të Paskuqanit, për të bërë të mundur përmirësimin e dukshëm të infrastrukturës urbane në këtë zonë. Ky është një tjetër premtim i mbajtur i z. Mziu, i cili ka garantuar se investimet e Bashkisë nuk do të mbarojnë me kaq, por do të vijnë duke u shtuar, pavarësisht nga indiferenca e një qeverie të rënë tashmë, e cila nuk ka akorduar asnjë financim për qytetarët dhe Bashkinë e Kamzës.
Bum investimesh në Paskuqan për vitin 2017/Në vitin e dytë që Njësia Administrative e Paskuqanit është bashkë me Kamzën, Bashkia e këtij qyteti ka parashikuar një bum investimesh në këtë zonë, të cilat janë në proces realizimi. Projektet shtrihen në lagje të ndryshme të kësaj zone. Më e rëndësishmja është se këto projekte që po realizohen do të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm social. Investimet që po realizohen, janë ndërhyrje në infrastrukturën urbane, kryesisht në ndërtimin e rrugëve dhe në ndërtimin e kanalizimeve. Kështu, ndër investimet që po realizohen gjatë vitit 2017 në Paskuqan janë: ndërtimi i rrugës “Arben Broci” dhe i kanalizimeve në lagjen Paskuqan 2 dhe te QTA; ndërtimi i rrugëve “Ejll Dedja”, “Ismail Qemali”, “Isuf Xhelili” në lagjen Paskuqan 2; ndërtimi i rrugës “Halim Xhelo” në lagjen Paskuqan 1; vazhdimi i shkarkimit të liqenit të Paskuqanit si dhe segmenti tjetër i rrugës “Arben Broci” në lagjen Paskuqan 2; ndërtimi i rrugëve “Avni Rustemi”, “Gjok Doçi” në lagjen Paskuqan 2; ndërtimi i rrugës “Ymer Haxhi Prizreni” në Babrru-Shpat; ndërtimi i rrugës “Nënë Tereza” në Fushë-Kërçik; ndërtimi i rrugës “Veli Dede” si dhe kanalizimet në Fushë-Kërçik; ndërtimi i rrugës “Dile Marku” në Paskuqan 2; ndërtimi i rrugës “Konferenca e Bujanit” në Babrru; ndërtimi i rrugës “Bule Naipi” në Paskuqan 2; ndërtimi i rrugës “Isa Boletini” në Paskuqan 1; ndërtimi i rrugës “Leka i Madh” në Paskuqan 1; ndërtimi i rrugës “Ndoc Gjetja” në Babrru-Kodër; ndërtimi i rrugës “Tajar Zavalani” në Babrru-Shpat; ndërtimi i rrugës “Ajet Xhindoli” në Paskuqan 2 ,Vresht; ndërtimi i rrugës te shkarkimi i Bovillës, Babrru, Kodër e Kuqe. Ndërkaq, edhe investimet në kanalizime do të shtrihen në shumë zona të Paskuqanit. Mes tyre është ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në lagjen Fushë-Kërçik; ndërtimi i kanalizimeve mbrapa xhamisë në Babrru-Qendër; ndërtimi i kanalizimeve në dy segmente në Kodër të Kuqe; ndërtimi i kanalizimeve në rrugën “Xhovani Fausti” te lagjja Paskuqan 2; ndërtimi i kanalizimeve te rruga “Aleks Buda” në Paskuqan 2, Vresht; ndërtimi i kanalizimeve te rruga “Ago Agaj” në Paskuqan 2, Vresht; ndërtimi i kanalizimeve te rruga “Abdyl Elmazi” Paskuqan 2, Vresht; ndërtimi i kanalizimeve tek rruga “Abdyl Ypi” Paskuqan 2, Vresht.