Nga Preç Zogaj
Shqipëria po përjeton këto ditë një festival leximesh çmendurake të instalimit të Tramp në Shtëpinë e Bardhë. Analogjitë pa lidhje me historitë e tij me drejtësinë amerikane lexojnë dëshirat e kastës politike plurale solidare të Tiranës për t’i venë kazmën drejtësisë së re. Shfrenimi i fantazisë referon si të kryera fakte që nuk kanë ndodhur akoma.
Në asnjë vend të Europës, së paku gjykuar nga mediat e mëdha, nuk takon kaq shumë falle dhe shfaqje të zvogëlim-keqkuptimit të trampizmit në përmasa dhe trajta qesharake.
Mirë që bota nuk na e dinë gjuhën.
Nuk ka enigma se çfarë mendon Sali Berisha për SPAK dhe drejtësinë e re. Ai është zotuar të zhbëjë. Do t’i kishte hije ky zotim i qartë po të mos ishte vetë një i hetuar në një proces gjyqësor.
Do s’do, zotimi i Berishës e nënkupton përfshirjen dhe implikimin Ramës. Sepse për të zhbërë reformën në drejtësi duhen dy të tretat e deputetëve. Që nuk i fiton dot e vetme asnjë parti.
Qëndrimet e Ramës kanë qenë të tilla që të kujtojnë një shprehje të Niçes, i cili thoshte se në paqartësi gjej më shumë qartësi se në të folurit e qartë. Rama ka lëvizur mes paqartësive, në vartësi të vigjilencës amerikane dhe europiane në mbrojtje të paprekshmërisë së SPAK dhe drejtësisë së re.
Pas ndyshimeve në Shtëpinë e Bardhë disa analistë afër tij po i taksin publikisht vendimin për të firmosur me Berishën ndalimin e drejtësisë së re. Deri këtu më duket shumë. Por Rama mund t’i kthehet ëndrrës për t’i ulur vrullin SPAK dhe për të bërë rregullime ligjore që dekriminalizojnë veprën e shpërdorimit të detyrës. Madje mund të shkojë më larg nëse e lejojnë rrethanat ndërkombëtare. Gjithë duke e veshur prapsimin relativ të reformës me retorikën populiste të “forcimit” të saj.
Rama do të presë se cili do të jetë në mënyrë eksplicite qëndrimi i administratës së re amerikane për drejtësinë. Ai do t’i bëjë llogaritë me këtë qëndrim. Por kësaj radhe edhe me Bashkimin Europian që ka marrë rolin e violinës së parë në mbështetje të drejtësisë, duke e kushtëzuar sertë përparimin hap pas hapi për anëtarësimin e vendit tonë në BE me forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit në sferat e larta.
Bashkimi Europian nuk ka gjasa të prishet, zgjerimi nuk ka gjasa të ndalet. Pavarësisht parashikimeve apokaliptikë të fallxhorëve ala trampistë. Duke i konsideruar SHBA aleatë të natyrshëm e strategjikë dhe duke dëshiruar një bashkëpunim të ngushtë me administratën “Tramp”, Bashkimi Europian duket i përgatitur të përballet me sfidat e reja të kohës që jetojmë. Kësisoj, Rama dhe qeveria e tij mund ta pengojnë drejtësinë e re vetëm me çmimin e frenimit për t’u bërë pjesë e BE-së. Që mbetet një aspiratë e gjallë e shqiptarëve.
Arsyet e mirënjohura të protagonizmit dhe bashkautorësisë amerikane për konceptimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, të manifestuara qartazi dhe me forcë më të madhe gjatë mandatit të parë (2016-2020) të presidentit Tramp, janë në fuqi. Nuk shihet të ketë asnjë shenjë që kjo mbështetje të mos vazhdojë. Pritshmëritë dhe gjasat janë që ajo të rritet. Kryeministri Rama do të konformohet me këtë qëndrim. Zotimi i Berishës për zhbërje, si shprehje e kundërvënies me administratën e mëparshme, do të shfryhet.
Dita kur mbështetja amerikane të mos ketë nevojë të manifestohet do të shënojë në fakt fillimin e epokës së vetpavarësimit të plotë të drejtësisë në vendin tonë.
Pavarësimi i saj ka nisur tashmë, është në proces, në rrugën e konsolidimit. Prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GKKO kanë ligjin, mbrojtjen dhe dinjitetin që u garanton pavarësinë. Kanë vetedijën patriotike të misionit dhe integritetin individual. Ata nuk janë derivate të politikës. Përparimi i drejtësisë është meritë e tyre. Frenimi i saj do të ishte përgjegjësi e tyre. Nga kjo pikëpamje ata janë mbrojtësit kryesorë të pavarësisë së saj. Publiku e pret ketë prej tyre. Pavarësisht se ku rrahin manovrimet dhe retorikat e politikanëve./liberale.al