Opinionisti Ergys Mërtiri në një lidhje me Skype për News 24, thotë se vonesa për hetimin e Sali Berishës vjen nga influenca e tij që ka në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa kjo deklaratë ngjalli habinë e gazetares Ina Qirjo, Mërtiri e argumentoi këtë me faktin se Berisha është një ndër dy personat më influentë në Shqipëri në tri dekada.
Mërtiri: Ende mund të themi që SPAK-u është shumë larg së qeni një prokurori në vendet evropiane, por gjithsesi është shumë larg asaj që ka qenë. Prokuroritë e mëparshme nuk hetonin jo vetëm qeverinë por as opozitën. Përgjatë këtyre 33 viteve, kemi pasur një pakt të heshtur midis pozitës dhe opozitës. Të dyja silleshin si një e tërë. Madje, shohim që shumë njerëz të tyre pasqyrohen kur janë në opozitë.
Ky sulm që po bën SPAK-u nuk është sulm ndaj opozitës, por ndaj sistemit. Me ritëm që po ecën dhe nëse do të fuqizohet nuk do të jetë e largët dita kur ajo do të godasë edhe Ramën. Ardhja e zt.Dumani ka trazuar shumë gjëra dhe ka ndodhur pas një përballje mes ambasadës amerikane dhe Edi Ramës, çka do të thotë se SPAK nuk është nën kontrollin e Edi Ramës.
Nëse ka një regji është përtej oqeanit. Po të kujtoni përballjen me Ramën dhe zonjën Kim. Vonesa e hetimit ndaj zt.Berisha vjen edhe nga influenca e zt.Berisha ka mbi SPAK por edhe për shkak të Edi Ramës që është i interesuar që Berisha të mos dënohet, për të mos i hapur rrugën dominosë që mund të përfundojë tek ai.
-Ka Berisha influencë mbi SPAK-un?
Mërtiri: Duhet të ketë. Zt. Berisha është një ndër dy personat më të rëndësishëm në 33 vite. Berisha ka zgjedhur pjesën më të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe sigurisht mbeturinat e influencës duhet të jenë të mëdha edhe në sistemin e ri gjyqësor. Zt.Berisha është i fuqishëm edhe politikisht dhe financiarisht dhe të gjitha këto mund të bëjnë që influenca e tij të vazhdojë dhe ndoshta mund të jetë Edi Rama që e mbron. SPAK ka filluar të godasë fortë në të dyja krahët vetëm me ardhjen e zt.Dumani. Një pjesë e mirë e njerëzve do të vihen përpara përgjegjësisë.