Drejtësia në fokus: Kërkohet gjykimi i akuzuarve për ndikim në çështjen “Toyota Auris”

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të shtunën më 4 janar përfundimin e hetimeve paraprake ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për ushtrim ndikimi në katër çështje penale që lidhen me dosjen e “Toyota Auris”, një hetim pasuror të Suel Çelës dhe tre çështje të tjera. Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi është dërguar në gjykatë për tu kaluar për gjykim, ndërkohë që është ndarë çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje. Hetimet për këtë çështje u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC.

Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë; kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë; si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi e personave të tjerë.

Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Cani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri dhe u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Astrit Vladi është vëllai i Elvis Vladit.

Hetimet e atëhershme dështuan të provonin se trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave. Një investigim i mëparshëm i BIRN gjeti se si prokuroria dhe më pas gjykata pranuan si provë alibinë e të akuzuarve – duke e çuar çështjen përfundimisht në gjykatë për veprën penale të “modeklarimit të të hollave në kufi”.

Sipas SPAK, prokurori Zarka në bashkëpunim me Erjona Dautin, Astrit Vladin dhe Radovan Çelën kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përgjatë viteve 2018-2020 për katër çështje penale që lidheshin me të pandehurit Elvis Vladi, Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri.

Një tjetër çështje ku dyshohet se është ushtruar ndikim lidhet me hetimin pasuror ndaj Suel Çelës në shkurt 2020 nga Prokuroria e Posaçme – një personazh i akuzuar për përfshirje në krim të organizuar në Elbasan dhe i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasje.

Tre çështjet e tjera penale ku dyshohet se është ushtruar ndikim i paligjshëm u hetuan nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Vlorës.

Aurel Zarka akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm 3 herë, nga të cilët 2 herë në bashkëpunim. Po ashtu, ai akuzohet se ka kryer korrupsion aktiv e pasiv. Ish-oficerja e policisë gjyqësore, Eriona Daupaj akuzohet se ka kryer ushtrim ndikimi 4 herë, nga të cilët në 2 raste e ka realizuar në bashkëpunim. Ajo akuzohet dhe për zbulim të akteve e të dhënave sekrete dhe korrupsion pasiv në 2 raste.

Avokati Radovan Çela akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm në 5 raste, kur 4 herë ka vepruar në bashkëpunim, ndërsa Astrit Vladi akuzohet se ka kryer 4 herë ushtrim ndikimi të paligjshëm në bashkëpunim dhe korrupsion aktiv.

Në njoftim thuhet se më 26 dhjetor, prokurorët kanë vendosur ndarjen e çështjes penale dhe vijimin e hetimeve lidhur me prokurorët, gjyqtarët e funksionarët e tjerë të drejtësisë që përmenden në bisedat e të pandehurve. Sipas prokurorisë, veçimi i akteve ka të bëjë me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit për rrethanat e çështjeve ku kanë ndikuar, si edhe në lidhje me biseda që kanë të bëjnë me fakte dhe rrethana të tjera që kanë dalë gjatë veprimeve hetimore.

Konkretisht, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë, në përmbajtjen e të cilave përmenden prokurorë, gjyqtarë e funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.

Nga bisedat dhe komunikimet e administruara janë konstatuar të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj prokurorëve, gjyqtarëve apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë. Po ashtu, janë ngritur dyshimet se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementë të veprave të tjera penale./ BIRN

Artikulli paraprak“Rrjetet sociale po shkatërrojnë jetën e adoleshentëve”/ Zekthi: Varësia, e rrezikshme
Artikulli tjetër2025-a, një vit vendimtar për të ardhmen e Evropës