Drejtoresha në Korçë rreh edukatoren në sy të fëmijëve

Drejtoresha e një kopshti në Korçë ka dhunuar barbarisht edukatoren. Ngjargja ka ndodhur në sy të fëmijëve. Drejtoresha Laureta Asllani i ka shkulur flokët edukatores Zana Brahimllari. Kjo e fundit më pas i ka bërë kallëzim në polici. Shkaqet e sherrit në sy të fëmijëve nuk dihen ende.
Suzana Brahimllari, edukatorja që u dhunua nga drejtoresha e kopshtit ka përfunduar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore të shkaktuar nga dhuna. Pasi shefi i Urgjencës nuk i ka lejuar gazetarët të bisedojnë me edukatoren brenda ambienteve të spitalit, vetë edukatorja ka dalë jashtë.
Mësuesja ka denoncuar në polici drejtoreshën Laureta Asllani, duke pohuar se u dhunua pas një pretendimi të saj. “Jam dhunuar nga drejtoresha e kopshtit, pasi ajo pretendon se një prej prindërve është ankuar për sjelljen time. Ka ardhur duke më bërtitur dhe ndërsa unë e kam mohuar më ka dhunuar”, mësohet se ka thënë edukatorja në polici.
Ndërkohë që mësuesja merrte mjekimin në spital, një tjetër skandal ka pasuar këtë ngjarje. Shefi i Urgjencës së Spitalit të Korçës ka fyer rëndë, dhe më pas i ka nxjerrë jashtë forcërisht gazetarët të cilët kishin shkuar të takonin edukatoren e dhunuar nga drejtoresha e kopshtit.
Ndonëse gazetarët i kanë thënë se kanë autorizim nga drejtori i Spitalit, mjeku ka kundërshtuar.
“Kam urdhër nga Kryeministria, dhe nuk pyes për drejtorin e spitalit që ju autorizoi të hyni dhe për askënd tjetër. Edhe pse keni ardhur me kërkesë të vetë pacientes nuk më intereson fare. Jua thyej telefonat po zhdukuni jashtë”, është shprehur Dhimitër Samara. Pas kësaj, ai ka shtyrë me dhunë gazetarët e disa mediave, duke përdorur edhe fjalë fyese ndaj tyre.

Artikulli paraprakProkuroria zbardh 7 udhëtimet e Tahirit jashtë shtetit me Sotën
Artikulli tjetërBreshëri plumbash në Orikum, plagoset 23-vjeçari