Guillermo Amor, drejtor i marrëdhënieve institucionale të Barcelonës, foli për shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, që e përballi skuadrën katalanase me Romën: “Unë mendoj se të tetë skuadrat e mbërritura në këtë raund janë të forta dhe të vështira për t’u përballur. Ne ‘prekëm’ Romën, e cila ishte një mundësi e mirë. Të paktën nuk u përballëm me Real Madridin? Nuk e di ç’është më e mirë, nëse përballesh me Real Madridin tani, në gjysmëfinale apo në finale. Rivalët e mundshëm në turin tjetër? Janë të gjithë të komplikuar dhe në dy ndeshje gjithçka mund të ndodhë. Roma dhe Juventusi ndaj skuadrave spanjolle? Italianët kanë ekipe të forta dhe serioze, që punojnë shumë si grup dhe konkurrojnë mjaft mirë. Objektivi i sezonit? Ne duam të fitojmë gjithçka. Qëllimi ynë është që t’i fitojmë të gjitha garat përpara. Champions është një garë tjetër, kemi edhe La Liga-n dhe Kupën e Mbretit në dorë. Ndeshja e parë në shtëpi? Ne gjithmonë themi se është më mirë për të luajtur ndeshjen e dytë në shtëpi, ndaj do të përpiqemi për të shkuar në Romë me rezultatin më të mirë të mundshëm”.