Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook, denoncon rekrutimin me dhunë dhe kërcënime me vendin të arsimtarëve në Lezhë. Në adresën e tij në Facebook, zotit Berisha i ka ardhur një mesazh, nga një qytetar i Lezhës, ku tregon për një mbledhje që drejtori i Arsimit të këtij qyteti ka zhvilluar me mësuesit atje. Sipas tij në rast se nuk do të angazhoheshin në fushatën zgjedhore për PS-në në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do të jenë të detyruar të lëshojnë vendet e punës. Më poshtë postimi i plotë i ish-kryeministrit.
“Mësuesi dixhital denoncon: Anëtarësimin e arsimtarëve në PS me kërcënim për humbje të vendit të punës. Ky është fundi i një bande që ndjen katastrofën elektorale që e pret “Përshëndetje zoti Berisha! Dua tju bëj me dije se ditën e mërkurë ora 13:00 drejtori i Arsimit Lezhë ka zhvilluar një mbledhje me mësuesit dhe mësueset e gjimnazit të Lezhës dhe qëllimi i mbledhjes ishte që të lajmëroheshin se shumë shpejt ata mësues që janë definitiv do të kalojnë me kontratë. Por ka dhe një rrugë tjeter siç pohoi drejtori i Arsimit. Mobilizimi për t’u anëtarësuar në PS e për t’u bërë pjesë e fushatës elektorale të Partisë Socialiste që shkurt do të thotë të sigurojnë vota për partinë e Edvinit. Jam shumë i indinjuar nga ky drejtor që po kërcënon bukën e familjes sime, sepse kam bashkëshorten tek gjimnazi në Lezhë mësuese. Ju lutem denoncojeni, sepse kam besim tek zëri juaj doktor Berisha”.