Drejtori i Policisë së Lezhës parcela me drogë në Priskë

Drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, Dritan Lena, kishte në pronësi disa parcela me kanabis në Priskë të Tiranës. Droga në Priskë të Dajtit u asgjësua para pak ditësh nga policia pas sinjalizimeve nga ana e Prokurorisë që kishte marrë njoftim nga SHISH. Dritan Lena deri më 1 korrik të këtij viti mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatin Numër 4 në Tiranë, ku mësohet se ka patur në zotërim edhe parcelat me drogë në Priskë. Ai u emërua Drejtor i Policisë së Lezhës më 21 korrik të këtij viti, por pas kërkesës së Prokurorisë, ai është pushuar nga detyra e drejtorit më 1 shtator. Pushimi i tij nga puna ka ardhur, pasi Prokuroria kishte nisur hetimet për drogën.
ABC News ka mësuar se drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako më 1 shtator ka vendosur pezullimin nga detyra të drejtorit Lena me motivacionin për menaxhim të dobët të zonës që ai mbulonte në kohën kur kryente detyrën e shefit të Krimeve në Komisariatin Nr.4, detyrë të cilën e ka mbajtur deri më 21 korrik të këtij viti, ku pasi mori gradën e drejtuesit u emërua në krye të Drejtorisë së Qarkut Lezhë.
Burimet policore thonë se ky pezullim, ka ardhur pasi më datë 1 shtator policia ka ndërhyrë në Priskë dhe në Mner të Epërm në zonën e Dajtit, duke asgjësuar në një parcelë 2754 bimë kanabis sativa. Ky fakt, i ka mjaftuar drejtorit Çako që të urdhëroi pezullimin e drejtorit Lena nga detyra dhe të nisë procedimin disiplinor ndaj tij për mos kryerjen e detyrës siç duhet. Por, i çuditshëm është fakti se ky standard nuk po ndiqet edhe në zonat e tjera, nëse është realisht ky motivacioni i dhënë nga policia. Pasi deri më tani në gjithë Shqipërinë thuasje janë asgjësuar gati 1 mln rrënjë kanabis dhe asnjë shef krimesh, shef komisariati apo drejtor qarku nuk është pezulluar. Ky veprim, ngre dyshime se Policia e Shtetit po fsheh të vërtetën e pezullimit të Dritan Lenës nga detyra. Kësaj duke i shtuar edhe faktin se Policia e Shtetit nuk ka shpërndarë video e foto për bimët e kanabisit të asgjësuar në zonën e Priskës në Dajt, siç ndodh për rastet e ngjashme në gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, ABC News ka mësuar se edhe Prokuroria ka nisur hetimet për këtë fakt, pas relatimit të materialeve të asgjësimit të lëndëve narkotike nga Policia e Shtetit. Burimet thonë se nuk përjashtohet mundësia e hetimit edhe për drejtorin e pezulluar, pasi deri më tani asnjë person nuk është arrestuar për parcelën e hahashit në Priskë dhe Mner të Epërm në zonën e Dajtit.
Dritan Lena u emërua drejtor i Policisë së Lezhës më 21 korrik të këtij viti. Më parë, ai mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë, ku mësohet se janë konstatuar edhe shkeljet në detyrë.
I gjithë vendi është i mbuluar me kanabis ndërsa policia godet ato parcela të njerëzve që nuk kanë mbështetjene policisë. Ndërkohë, kryetari i Njësisë Administrative Pult në Dukagjin, Tomë Marku, ka përfunduar në pranga, pasi raportoi për 2 mijë parcela me drogë. Prej tre ditësh, Marku ndodhet në qeli, pasi u arrestua nga policia si posedues droge dhe si kultivues të saj. Policia bëri të ditur pas arrestimit të tij se në banesën e Tomë Markut u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kg 303 gramë lëndë narkotike si dhe një armë gjahu me 6 fishekë.
Ndërkohë bëhet e ditur se Kryetari i Njësisë Administrative Pult, Tomë Marku jeton në Shkodër ndërsa në banesën e tij në Pult nuk banon asnjë njeri. Është e çuditshme se si është gjetur droga dhe arma në banesën e tij. Familjarët hedhin dyshime se droga dhe arma mund të jetë futur nga policia në banesë për ta arrestuar. Këto dyshime hidhen, pasi Administratori i Pultit, Tomë Marku, vetëm dy ditë para se të arrestohej, foli publikisht për identifikimin e parcelave me drogë dhe kishte kërkuar asgjësimin e tyre.
Gjatë një aksioni, policia bëri të ditur se shkatërroi mijëra rrënjë kanabis në zonën e Dukagjinit, kryesisht në komunat Pult dhe Temal, por bëhet e ditur se nuk janë goditur parcelat që janë në pronësi të krerëve të policisë, të cilët bashkëpunojnë me trafikantët. Administratori i Pultit ka raportuar pranë organeve kompetente se vetëm në Pult ndodhen 2 mijë parcela me drogë, por policia ka shkatërruar vetëm 1 të qindën e tyre. Pjesa më e madhe e parcelave në këtë zonë, ashtu si në të gjithë vendin, nuk preken pasi zotërohen nga krerët e policisë, të cilët një pjesë të fitimeve e dorëzojnë tek Rama dhe Tahiri.

R.POLISI

Exit mobile version