Drejtori i Policisë thirret në Prokurori për Shullazin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për rreth 30 minuta i përgjigjet pyetjeve të dy prokurorëve, që po hetojnë prej muajsh Emiljano Shullazin dhe bandën e tij. Drejtori Çako preferoi t’i shmang mediat, duke hyrë në ndërtesën e Krimeve të Rënda nga hyrja e publikut. Ndërsa në dalje, ai shfrytëzoi parkingun nën tokësor të Prokurorisë për Krime të Rënda, për t’u larguar nga ndërtesa pa bërë ndonjë koment për dëshminë e tij. Drejtori i Përgjithshëm Çako u pyet me cilësinë e dëshmitarit në procesin hetimor ndaj Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të bandës së tij. Mësohet se edhe Çako, ashtu si ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, nuk kishte mësuar nga dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni për emrin e kërcënuesit të tyre.
Burimet thonë se, Çako ka treguar për procedurat e ndjekura nga policia, pas denoncimit publik të ish-kryeministrit Sali Berisha për kërcënimin e dy profesorëve. Ai ia ka thënë prokurorëve Elisabeta Imeraj e Ened Nakuçi, se pas deklaratës së ish-kryeministrit, policia ka marrë kontakt me profesorët, me të cilët ishin takuar në zyrën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në takim, ka thënë Çako, ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit, Nikolla dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ku i është ofruar dy profesorëve siguri dhe premtim për zbardhjen e ngjarjes. Sipas Çakos, dy profesorët Koni e Kule nuk i njihnin kërcënuesit dhe as emrat nuk i dinin.
Pas deklaratave të ish-kryeministrit Berisha, ka thënë Çako, Policia e Shtetit ka punuar edhe në rrugë operative, duke kryer veprime të hollësishme hetimore për të identifikuar autorët e kërcënimit, materialet për të cilat janë sjellë në Prokurori. Pas kësaj dëshmie, Çako është larguar nga Prokuroria, ndërsa hetimet për Shullazin dhe grupin e tij mësohet se janë drejt përfundimit.  Sipas Prokurorisë, Shullazi akuzohet për gjobëvënie dhe kërcënimet ndaj dy profesorëve Kule dhe Koni.

Exit mobile version