“Reggio Emilia është një qytet që po profilizohet jo vetëm si zonë shpërndarje, por edhe ruajtje dhe trafiku, me shqiptarët të aftë për të siguruar kokainë dhe marijuanë në sasi të mëdha, ndërsa qytetarët me origjinë nga Afrika Verore dhe Afrika Sub-Saharian merren me shpërndarjen”. Deklarata është bërë nga Guglielmo Battisti, kreu i Policisë së Reggio Emilia-s në Itali, pas arrestimit të një shqiptari, një ditë më parë.
Ai jetonte në qytet, por në një tjetër zonë të Reggio Emilia-s, konkretisht në San Maurizio, dhe shfrytëzonte një banesë me qira si bazë të trafikut të drogës. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Ismail Kurti, i pajisur me leje qëndrimi në Itali, i cili është arrestuar nga policia pasditen e djeshme, pasi ka dalë nga banesa në San Maurizio.
Agjentët e policisë, ndiqnin prej kohësh lëvizjet e të riut. Dje, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën 650 gr kokainë dhe 3.500 euro, si dhe karta të shumë celularësh dhe një axhendë me data e shifra (që dyshohet se i referoheshin aktivitetit të tij, lidhur me drogën).
Një ditë më parë, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Një shqiptar dhe një italian kanë përfunduar në prangat e policisë italiane në Brindisi. Sipas agjencisë “Ansa”, ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike. Policia italiane thotë se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Droga u gjet në shtëpinë e Luca Sabetta, 37 vjeç nga San Pietro Vernotico, tregtar ambulant i kërmijve. Në pranga ra dhe shqiptari Vezhdan Brahimaj, 48-vjeçar nga Vlora. Shqiptari po ngiste një kamion që u kontrollua pranë shtëpisë së tij në Sabetta.
Sipas hetimeve që janë në vijim dyshohet se, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos. Sulmi “blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit. Po hetohet nga origjina e drogës, koha e trafikimit të saj dhe në qoftë se droga ishte gati për t’u ngarkuar në kamionë për transport në një tjetër destinacion.