Dridhe Gazi dridhe, por të hënën Berisha djeg shaminë!

Nga Bato Kosova

Dita e premte ka qenë shumë e sikletshme për Gazment Bardhin.

Mediet publikuan emrat e 30 deputetëve, të cilët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që të mbrojë Sali Berishën nga SPAK.

Pasi u zbulua se Bardhi ka bashkuar firmën e tij dhe të 10 gazbardhistëve me ato të 19 deputetëve të Berishës për padinë për të pezulluar masën shtrënguese me arrest që kërkon SPAK, ai tentoi të fshihet prapa gishtit.

Bardhi ju përgjigj lajmit duke mashtruar publikisht.

Tha se padia në Kushtetuese, nuk kishte të bënte me Berishën, por vetëm me nenin 73.

Por pasi Alfapress.al publikoi të plotë kërkesën e tyre, ku del qartë në pikën 4, se kërkohet pezullimi i masës shtrënguese, (arrest), për Berishën, Bardhi sërish u përpëlit duke shkruar në twitter se çështje nuk ekziston dhe sulmoi Alfapress.al.

Faktikisht emrat deri të premte pasdite ishin mbajtur sekret, pasi këtë e kishin vënë kusht disa deputetë të grupit Bardhi, të cilit i duket vetja aq i zgjuar, sa mund të mashtrojë demokratët dhe ndërkombëtarët duke luajtur me dy porta.

Por Berisha bëri atë që e bën më mirë se kushdo: I legenosi.

Fillimisht u kujdes që tu dilnin emrat në medie dhe i ndentifikoi, si kamikazë mbrojtës të tij kundër SPAK.

U dërgoi mesazhin se ai nuk ka kohë dhe nerva më, që ata të luajnë me dy porta dhe se duhet të dalin nga roli i strucit.

Nuk ka më fasada, tani që i janë hapur dyert e burgut: Edhe të bëjnë si parimorë dhe properëndimorë, edhe të hanë në kazanin e tij.

Pasi u dekonspirua qëllimi i vërtetë i padisë në Kushtetuese, Bardhi, nisi të bënte shejtan-budallain.

Vazhdonte të këmbëngulte që nuk kishin firmosur kërkesë për të mbrojtur Berishën, por thjesht një interpretim të nenit 73 dhe vazhdonte të sulmonte dhe ironizonte duke bërë ciu-ciu-7×7 në Twitter, Alfapres.al, e cila publikoi pikën 4, ku shkruhej e zeza mbi të bardhë, se gazbardhistët dhe berishistët kërkonin pezullim të menjëhershëm të shqyrtimit nga Kuvendi ditën e hënë të masës shtrënguese, arrest, e kërkuar nga SPAK.

Por vetëm dy orë pas kësaj, Rithemelimi nxorri te Beti Njuma,(Tv Ora), deputeten Sorena Koti, e cila e thelloi legenosjen.

Ne kemi firmosur një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese. Këtu janë deputetët e PD-së që po i dërgojnë gjykatës për kryetarin e PD-së për një arrest në shtëpie për të. Mendojmë se ky është një veprim anti-kushtetues dhe lënie pezull për vendimin e parë, është marrë nga gjykata vendimi i dytë”, shpjegoj bukur dhe qartë Koti, arsyen e firmës së saj dhe të Gazment Bardhit me shokë e shoqe, “proamerikanë dhe pro SPAK”.

Që nga i moment nuk është ndjerë dhe ka të drejtë, se kushedi çfarë tjetër i punon për ta legenosur dhe më shumë Berisha.

Gjithsesi ne nuk ja vëmë re sulmet dhe insinuatat që na bën Gazment Bardhi.

Ai është në biznesin dhe punën e tij, por që ti ecin mbarë këto duhet të qetësohet.

Të heqë dorë nga loja me dy porta, të mos mashtrojë publikisht se është turp dhe mbi të gjitha, të mbajë nën kontroll histerizmin se nuk i bën mirë as për shëndetin e as për misionin.

Për të qenë i qetë është fare e thjeshtë: Ditën e hënë bashkë me grupin që e ndjek ende, të mos bëj sikur kërcet kot më kot për Kushtetutën dhe Komisionet, por të rreshtohet në protestën kundër SPAK dhe SHBA. Madje në ball të saj, se jo më kot Berisha e emëroj te Fevziu, zëvendës lider të revolucionit!

Gjithsesi: Dridhe Gazi dridhe sa të duash e si ta kesh qejfin, por një gjë është e sigurt. Të hënën me protesta e pa protesta, Sali Berisha e djeg shaminë si “dhëndër” VIP i drejtësisë së re./ Alfapress.al

Exit mobile version