“Dridhet” Chelsi!

Një tjetër skandal rrezikon të kaplojë futbollin anglez. Pas skandalit seksual në fundin e vitit 2016, këtë herë bëhet fjalë për shkelje të rënda ekonomike dhe fshehje të të ardhurave. Bëhet fjalë për një shifër të majme, e cila shkon deri në gjashtë milionë euro dhe skuadrat e përfshira në këtë skandal janë të shumta.
Mbi 180 agjentë kanë hetuar, kanë marrë në pyetje persona që dyshohen si të përfshirë dhe shumë dokumente të sekuestruara. Në fund, agjentët kanë vendosur të mësyjnë në zyrat e Uest Hemit dhe Njukasëllit. Këta të fundit pak ditë më parë arritën të siguronin ngjitjen në Premier Ligë, por janë duke përjetuar ditë të errëta jashtë fushës së lojës. Administratori i përgjithshëm Li Klernej, 39-vjeçar, është vënë në pranga dhe do t’u përgjigjet pyetjeve rreth përfshirjes së tij në këtë skandal.
Pas një bashkëpunimi mes agjentëve të Britanisë së Madhe dhe Francës, janë gjetur të dhëna që klube të ndryshme ulin vlerat e futbollistëve në merkato në mënyrë fiktive dhe paguajnë njëra-tjetrën, duke shmangur shtetin dhe në këtë mënyrë edhe taksat. Transferimi i Dimitri Paje nga Uest Hemi te Marseja duket se është i tillë, por dy klubet do të hetohen gjerësisht, sepse gjatë kësaj kohe kanë bërë shitje-blerje të shumta dhe kanë transferuar futbollistë të ndryshëm.
Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefona celularë. Në orën tetë të mëngjesit të djeshëm, agjentët mbërritën në zyrat e klubit të Uest Hemit dhe këta të fundit dolën me një deklaratë për shtyp, ku thanë se janë të hapur për hetim dhe do të bashkëpunojnë me policinë, duke u vënë në shërbim të gjithë dokumentet.
Klubi i West Ham ka reaguar menjëherë, duke theksuar se policia dhe hetuesit do të gjejnë mbështetjen e plotë të drejtuesve për të çuar përpara hetimet. “Kemi nisur kontrollet në Lindje dhe Juglindje të Anglisë dhe kemi arrestuar disa persona, gjithashtu janë sekuestruar shumë dosje dhe kompjutera e celularë. Autoritetet franceze po mbështesin hetimin tonë, duke arrestuar gjithashtu disa persona edhe në Francë. Ky hetim është tregues i qartë i vendosmërisë tonë, sepse pavarësisht emrit që mban apo institucionit që përfaqëson, nëse nuk paguan taksat duhet të përballesh me pasojat”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë. Newcastle siguroi matematikisht të hënën rikthimin në Premier League pas një sezoni në Championship, ndërsa West Ham ka arritur të sigurojë mbijetesën mes më të mirëve të Anglisë gjatë këtij sezoni, ku ka treguar luhatje të mëdha.
Ndërkohë, në këtë skandal janë të përfshira edhe 12 skuadra të tjera në të gjithë Europën, por për momentin nuk ka emra. Flitet se në shënjestër të agjentëve është skuadra e Çelsit, por nga kërkimet e djeshme nuk ka pasur asgjë të dyshimtë. Në fakt, do të hetohen transferimet që kanë bërë blutë e Londrës me këto skuadra të përfshira në mashtrimin e të ardhurave.

Exit mobile version