27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar letrën drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.
Lajmi është konfirmuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Në përgjigje të interesimit të ATSH-së nëse Greqia i është bashkuar letrës së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që do ta ftojnë Shqipërinë të hapë kapitujt e parë të bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një zyrtar i BE-së konfirmoi se “letra drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë është miratuar”.
“Mund të konfirmoj se letra drejtuar autoriteteve shqiptare për rezultatin e shqyrtimit të grupkapitujve të parë është miratuar”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të BE-së për ATSH.
Përpara disa ditësh Shqipëria përmbylli procesin e shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening”.
Lajmin e dha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili theksoi se ky proces zgjati për 14 muaj, me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis.
Hapi i radhës, ka deklaruar kryediplomati Hasani, është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore.
Propozimi i Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë pritet të diskutohet në mbledhjen e muajit dhjetor të Këshillit Evropian, ku çdo vendim duhet të merret me miratimin e të gjitha vendeve anëtare.