Dritan Zagani: Si Tahiri e vlerësonte Moisi Habilaj si ‘biznesmen’ të suksesshëm

Ish-shefi i Antidrogës në Fier e Vlorë, Dritan Zagani, i cili u arrestua me urdhër të Tahirit dhe më pas u detyrua të largohet jashtë shtetit pse hetoi kushërinjtë e ish-ministrit Tahiri, për trafikun e drogës drejt Italisë, ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, pas lajmit të arrestimit në Itali të Moisi Habilajt. Zagani aktualisht është azilant politik në Zvicër dhe e gjithë historia e tij dhe përndjekja që i është bërë në Shqipëri nga ish-kolegët e tij në polici me urdhër të ministrit Tahiri, ka pasur të bëjë pikërisht me Habilajt, kushërinjtë e ish-ministrit Tahiri, të cilët i hetoi pikërisht për krimin për të cilin u prangos dje në Itali, Moisi Habilaj.
Ish-eksponenti i policisë në kohën që ka qenë me detyrë në Fier dhe Vlorë, ka hetuar për vëllezërit Habilaj, si pjesëtarë të një organizate të fuqishme në trafikimin e drogës. Madje, ai arriti të zbulojë se vëllezërit Habilaj përdornin për trafik droge edhe makinën personale të Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm në atë kohë.
Në një postim në Facebook, Zagani shkruan se në kohën që ai i akuzonte vëllëzërit Habilaj për trafik droge me makinën e Tahirit, Tahiri e cilësonte Moisi Habilajn si biznesmen të suksesshëm. “Arrestohet në Itali kushëriri i preferuar Moisi Habilaj…. një “biznesmen” i ndershëm nga Vlora që me “djersën” e ballit këto 4 vite qeverisje të “rilindjes” rriti fitimet e biznesit në ca miliona euro…!
Vite më parë kur unë si polic i “korruptuar” u arrestova me urdhër të kushëririt të Moisiut, ministrit të asokohe z.Saimir Tahiri, nga Saja dhe shefi i tij u tha që unë isha një i arratisur dhe kriminel që bashkëpunoja me trafikantët dhe se kushëriri i shkretë ishte biznesmen i pastër ….!
Çfarë të them më tepër…jam pa fjalë … Vetëm pres me ankth si do reagojë Shqipëria ime (shtypi dhe mediat) apo dhe vetë shteti im për këto “shpifjet” që unë kam vite e vite që i hetoja në cilësinë e policit… si dhe i kam deklaruar si fakte të fatkeqësisë time para më shumë se dy vitesh në mënyrë publike….dhe u shpallën si shpifje nga të gjitha strukturat e shtetit deri te vetë lartgjatësia e tij zoti Rama!”, shkruan Zagani.
Në shtator 2015, Tahiri deklaronte se në dijeninë e tij, Moisi Habilaj dhe të afërtit e tij nuk ishin kriminelë. Të qenurin e tyre kriminelë, Tahiri e cilësonte “rastin më të keq”. Kur të gjithë akuzonin Habilajt, madje edhe vetë vartësi i Tahirit, drejtori i Antidrogës së Vlorës, Dritan Zagani, Tahiri shprehej se në dijeninë e tij, ata nuk ishin kriminelë, por njëri nga vëllezërit Habilaj ishte një bizenesmen i ndershëm.

Artikulli paraprakNjeriu i Ruçit mori peng dhe torturoi një të ri, policia nuk e arrestoi
Artikulli tjetërAntimafia italiane: Në bandën e Habilajt të përfshirë edhe zyrtarë të policisë