Dritan Zagani: Suksese në jetë Saimir Tahiri, marrsh me vete edhe Ramën

Dritan Zagani, ish-shefi i Antidrogës në Fier dhe Vlorë që denoncoi i pari publikisht lidhjen e Saimir Tahirit me klanin e Habilajve, ka reaguar sërish. “Po lexoj gjithandej në media që kusho i Moisiut paska folur live mbi të “vërtetat”, që pret të verifikohen nga drejtësia. Mirë që e di se një ditë drejtësia me apo pa dëshirë do ta bëjë punën e saj për këdo. Po lexoj që kusho i gradës së 10 i Moisiut, Lolos dhe Artanit që merret me biznes fruta-perimesh qenka ndjerë shumë keq para asaj që sot lexojnë për të në shtyp e media familja e tij, djali i tij i pafajshëm etj., etj., si këto fjali plot diplomaci që Saja di më mirë se unë dhe se shumë kush t’i formulojë….dhe ka pak të drejtë i ziu nga ana njerëzore. E di shumë mirë se si ndjehesh në këto momente, e di Saje, sepse jam akoma me atë ndjenjë që ma bëre dhuratë ti me sejmenët e t’u servil me pa të drejtë dhe e gjitha vetëm e vetëm që këta kushot e 10-të që na i shpalle kriminelë të rëndomtë më në fund, të ishin të lumtur dhe të lirë në biznesin e tyre me “djersën” e ballit siç e thoje deri para ca kohësh ti!
Ti që me megallomaninë tënde diletante fryheshe në intervista live, duke u mburrur se, me arrestimin tim po bëje shtet, ti që çfarë nuk sajove me sejmenët e t’u servilë për mua, vetëm e vetëm që të kënaqje këta që sot m’i quan kriminelë…!
Por unë edhe pse ndjehem keq nga ajo, ndjej sot të përçmoj Saje, ashtu siç përçmoja kur isha në punë kushot e t’u që ishin trafikantë të rëndomtë… Suksese në jetë Sajmir Tahiri dhe marsh me vete këdo që është si ti, edhe këtë që të shiti de fakto, se de jure ka kohë që ta ka fut…!”, shkruan ndër të tjera Zagani.
Në nëntor të vitit 2015, kur ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi u akuzua se “shiste informacione” te italianët, Zagani deklaroi në një intervistë për gazetarin Basir Çollaku se, Habilajt i kishte denoncuar me kohë tek eprorët e tij në polici. Dhe për këtë, dijeni kishte marrë edhe Saimir Tahiri. Një pjesë e intervistës u publikua nga “News24” në atë kohë, por u ndërpre pas presionit të qeverisë.
Saimir Tahiri mohonte në atë kohë, që Habilajt të ishin trafikantë. Habilajt, sipas Dritan Zaganit ishin në përdorim të një skafi dhe një makine private të Saimir Tahirit; një “Audi” me targë AA 003 GB, që kishte kryer disa udhëtime nga Shqipëria në Greqi. Dje, mediat italiane shkruajtën se “Audi” i famshëm i ministrit kishte trafikuar drogë edhe në Siçili, nën drejtimin e Moisi Habilajt.

Exit mobile version