“Dritëhijet e listave”: 16 kandidatë nën hetim nga SPAK

Nga Arbjona Çibuku

Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë për legjislaturën e ardhshme janë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Kështu thotë raporti i Qëndresës Qytetare, i cili ka analizuar listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuar probleme serioze në procesin e përzgjedhjes së tyre.

Sipas raportit, 9 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike janë nën hetim nga SPAK-u duke vijuar me 5 të tjerë nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia e Lirisë.

“Prania e figurave të akuzuara për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në listat e partive kryesore tregon se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve mbetet i dobët, jodemokratik dhe i papërgjegjshëm”, thekson raporti.

Sipas analizës së bërë në raport, një situatë e tillë dëshmon se partitë politike vazhdojnë të përsërisin gabimet e së shkuarës dhe nuk respektojnë organet e drejtësisë ku vihet re se kandidatët nën hetim i përkasin tre partive të tranzicionit, PS, PD dhe PL.

“Institucioni ynë ligjvënës rrezikon të përbëhet nga individë me probleme serioze ligjore, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe vetë funksionimin e shtetit të së drejtës”, vijon më tej raporti.

Raporti vë në dukje se partitë e tranzicionit, si PS, PD dhe PL, ruajnë të njëjtën metodologji për përzgjedhjen e kandidatëve, duke favorizuar figura të njohura dhe duke injoruar proceset e hapura demokratike. Në këtë pikë partitë mbeten me demokraci të brendshme të kufizuar.

PD, ndonëse organizoi primare për herë të parë, nuk ka reflektuar rezultatet e tyre në listat përfundimtare. Po ashtu, PS, edhe pse promovoi platformën “Deputeti që duam” me 18 kandidatura, nuk ka përcaktuar kritere të qarta përzgjedhjeje.

“Procesi mbetet jotransparent, pasi vendimmarrja varet nga strukturat qendrore të partive,” theksohet në raport.

PS ka ruajtur 48 deputetë aktualë në listat e saj, nga të cilët 36 janë në lista të hapura dhe 12 në zona të sigurta. Kjo qasje ka krijuar garë të brendshme brenda partisë.

Nga ana tjetër, PD ka ruajtur dominimin e figurave të njohura, duke përfshirë 40 deputetë aktualë (24 në lista të mbyllura dhe 16 të hapura) si dhe 20 ish-deputetë.

Ndër problemet kryesore të evidentuara në raport është përfaqësimi minimal i diasporës dhe i të rinjve. Vetëm 7 kandidatura nga diaspora janë përshirë në listat e hapura të PD dhe 2 në ato të PS.

“Nga platforma ‘Brain Gain’, vetëm një kandidat u përfshi në listën e PD, duke treguar se mekanizmat e rinovimit janë më shumë strategji politike sesa mjete të vërteta të meritokracisë,” thuhet në raport.

Raporti përfundon duke theksuar se qasja aktuale e partive politike rrezikon të minojë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe funksionimin e shtetit të së drejtës./citizens.al

Artikulli paraprakBIRN: Procesi i integrimit nuk është monopol i Partisë Socialiste
Artikulli tjetërPiramida e ndërtimit, si po karbonizohet vendi me kontrata porosie