Me makinë, me avionë, me skafe, në çdo lloj rrugë, mjeti e forme, tonetala me drogë nisen çdo ditë drejt Evropës nga karteli i Edi Ramës. Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi dje masivitetin e trafikut të drogës si dhe hapjen e të gjitha rrugëve nga ana e qeverisë për mbarëvajtjen e tij.
“Vetëm 4 ditë më parë, ra avioni që kishte ardhur të ngarkonte kanabis në Durrës, në pistën 1.8 kilometra të gjatë ndërtuar nga trafikantët.
Sot (Dje) në Brindizi të Italisë është kapur një skaf me 1 ton drogë, ngarkesë e nisur nga grykëderdhja e Vjosës, zona e influencës së habilajve të Tahirit. Janë kapur po sot, duke u futur në Maqedoni disa thasë me drogë.
Megjithë alarmin publik, me gjithë denoncimet e qytetarëve, të Partisë Demokratike, asgjë nuk e ndalon drogën, kultivimin e trafikimin e saj”, u shpreh Alibeaj.
Ai theksoi se tashmë, trafiku i drogës është shndërruar në një biznes qeveritar dhe se për shkak të këtij biznesi, sot po rrënohet ekonomia, po inkriminohet shoqëria dhe po goditet rëndë demokracia gjithashtu.
“Nuk ndalet se ky është biznes qeveritar, është e vetmja alternativë që Edi Rama u ka lënë shqiptarëve. Kur droga mbulon vendin, dërgesat do të shtohen, karteli fuqizohet dhe merr në dorë rrugët ajrore, detare, tokësore.
Droga e kartelit të Edi Ramës po mbulon dhe vendet fqinje. Shqipëria për fat të keq është në hartën e zezë, është kthyer në ditët më të këqia, si prodhuesja dhe trafikuesja kryesore e narkotikëve në Evropë.
Eshtë droga që po shkatërron ekonominë e ndershme në vend, që po shfrytëzon tokat dhe burimet, që po inkriminon shoqërinë, që po asgjëson votën, themelin e demokracisë.
Ka vetëm një mënyrë për ta ndalur rënien e vendit në këtë greminë. Duhet ndalur Edi Rama. Është koha për një reflektim mbarëkombëtar. Shqipëria meriton të të ardhme tjetër, me punë të ndershme, me rend e siguri. Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën”, tha kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD.