Droga drejt Italisë s’ndalet, bllokohet 655 kg në Brindisi

Një tjetër sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar nga policia italiane, ndërsa vinte nga Shqipëria. Mediat vendase shkruajnë se, marijuana “vazhdon të derdhet në sasi të madhe në brigjet e Brindisit, madje edhe kur kushtet e motit nuk janë ideale për qarkullimin e anijeve”.
“Marijuana me prejardhje nga Shqipëria vazhdon të vërshojë me sasi të mëdha drejt brigjeve të Brindizit, edhe kur kushtet atmosferike, siç është rasti për disa ditë më parë, nuk janë ideale për kalimin e një gomoneje (ose motoskafi). Sekuestrimi i fundit i rëndësishëm është bërë natën vonë të datës 15 mars, në rrethinat e Savelletri-t, marina e Fasano-s, nga Karabinierët e Fasano-s nën komandën e kapitenit Pierpaolo Pinnelli”, shkruan “Brindisi.it”.
Janë plot 655 kilogramët e substancës narkotike, të cilët ishin të ndarë në pako të mbështjellë në formë ruloni, të cilët u identifikuan nga ushtria si rezultat i një kontrolli, i cili iu nënshtrua një furgoni Transit me dy persona në bord. Vendimtare ishte mendjemprehtësia e hetuesve të patrullës operative e angazhuar në një shërbim kontrolli në territorin bregdetar. Duke dyshuar mbi praninë e një furgoni në afërsi të qytetit të Savelletri-t në një kohë kur të gjitha bizneset ishin të mbyllura, karabinierët kanë urdhëruar ndalimin e automjetit.
Dy personat në bord të furgonit kanë ndaluar menjëherë dhe më pas janë zhdukur nëpër fshat, duke u arratisur nga forcat e rendit. Brenda furgonit janë gjetur 348 kilogramë marijuanë në 19 pako të mbyllura ne celofan. Në këtë pikë karabinierët ka shtrirë kërkimet në vijën bregdetare, duke gjetur edhe 19 pako të ngjashme, të fshehura në pika të ndryshme të plazhit në zonën e “Cala Pescatore”.
Verifikimet për furgonin e bllokuar po vazhdojnë. Nga kontrolli i parë mjeti nuk rezulton i vjedhur. Rikujtojmë se karabinierët e Fasanos, rreth një muaj më parë, kanë sekuestruar 56 kilogramë të tjera marijuanë në rrethinat e fshatit turistik Rosa Marina. Mënyra e paketimit ishte identike me ato të sekuestruara më 15 mars. Vlera e 655 kilogramëve marijuanë, me pakicë i kalon 3 milionë euro.
Një sasi e madhe droge që vinte nga Shqipëria u sekuestrua para dy ditësh nga Guardia Di Finanza në Pulia, ndërsa në pranga përfunduan dy shqiptarë. Në sajë të operacionit ‘Triton’ dje u bë e mundur kapja e një gomoneje me 814 kg marijuanë. Mjeti i dyshimtë i lundrimit është pikasur nga policia italiane në liqenin e Gargano-s dhe më pas është ndjekur, skena të ngjashme- sipas mediave italiane, si ato të filmave aksion. Guardia Di Finanzan ka publikuar edhe videon nga momenti i ndjekjes në det të hapur, të gomones me dy shqiptarët në bord.
“Ansa” shkruan se sapo vërejtën se ishin pikasur nga policia, dy shqiptarët, D.B., 31 vjeç dhe V.T., 18 vjeç, nisën të hidhnin drogën në det, ndërsa u kapën 20 milje larg Viestes, në Foxhia. Të njëjtat burime theksojnë se, marijuana ishte ndarë në 42 pako, ndërsa nëse do të hidhej në treg për shitje, kapte vlerën e 8 milionë eurove.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janë rreth 11 ton kanabis sativa që janë transportuar nga Shqipëria nëpërmjet detit dhe që janë kapur në det nga Guardia di Finanza në Puglia. Ajo që e bën të frikshme këtë shifër është fakti, se gjatë gjithë vitit 2016, në Puglia janë trafikuar më pak se gjysma e kësaj shume.
Pikërisht për këto arsye, për rritjen e trafikut të drogës ka nisur dhe është në vazhdim një hetim që po bëhet nga Guardia di Financa në Marittima, hetim që ka përfshirë edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme në Itali.

Kanabisi shqiptar ‘mbyt’ Greqinë, 13 ton në 1 vit

Plot 13 ton kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria janë kapur përgjatë një viti në Greqi. Ky është raporti i fundit i Antidrogës greke, që i përket periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Për çështje që lidhen me trafikun e drogës janë arrestuar në të njëjtën periudhë më shumë se 12 mijë persona. Sa i përket nacionalitetit të të arrestuarve, dominojnë shqiptarët dhe grekët. Këta të fundit po përfshihen përherë e më shumë në transportimin e drogës, të joshur nga pagesa prej 1000 eurosh për çdo rrugë.
Autoritetet greke thonë se përfshirja e shtetasve vendas shpjegohet me vështirësitë që ka krijuar kriza ekonomike, duke duke bërë mjaft prej tyre që të përpiqen për të siguruar të ardhura nëpërmjet veprimtarive të paligjshme. Policia greke publikoi të enjten pamje nga asgjesimi i rreth 2,5 tonë kanabis, si dhe 58 kg heroinë të kapur dy muajt e fundit.
Asgjesimi u bë me mënyrën e djegies në furrnaltë, në një zonë e cila nuk bëhet e ditur, por në prani të prokurorit dhe të oficerëve të drejtorisë së sigurimit publik të Athinës. Bashkë me pamjet filmike dhe fotografitë nga aksioni i djegies së drogës, drejtoria e përgjithshme e policisë greke ka publikuar edhe shifrat konkrete, të një periudhe kohore që e quan si shumë të suksesshme.
Kështu, në periudhën nga janari 2016 deri në shkurt 2017, janë sekuestruar:
12,8 ton kanabis
200,2 kg heroinë
125,4 kg kokainë,
55.470 fidanë kanabisi
76.357 pilula me përmbajtje narkotike.
Në komunikatën e policisë greke thuhet se vetëm në dy muajt e parë të 2017-ës janë sekuestruar më shumë se 3 tonë kanabis, dhe mbi 106 kg heroinë. Autoritetet thonë se rastet e kapjes së kanabisit që vjen nga Shqipëria janë bërë thuajse të përditshme në Greqi vitin e fundit.
Kjo rritje impresionuese nuk shpjegohet vetëm me kërkesën nga tregu vendas, por sidomos me shfrytëzimin e rrugëve detare dhe porteve të Greqisë, për ta kaluar kanabisin në Europë.

Raporti i Guardia di Finanza: Droga nga Shqipëria është dyfishuar

Roja bregdetare italiane, (Guardia di Finanzia) publikoi dje Raportin Vjetor 2016, ku bëhet një bilanc i operacioneve në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Italisë në luftën ndaj trafikut të narkotikëve. Sipas raportit, gjatë operacioneve nga ajri dhe në det gjatë vitit 2016 janë bllokuar nga forca aeronavale e “Guardia di Finanza” rreth 32,8 tonë marijuanë. Raporti vlerëson se rreth 1900 persona janë arrestuar gjatë operacioneve të rojes bregdetare italiane.
“Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, i rëndësishëm është bashkëpunimi me Shqipërinë”, vlerëson raporti. Ky bashkëpunim sipas autoriteteve italiane, ka nisur nga viti 1997, me marrëveshjen mes Ministrive të Brendshme të të dy vendeve dhe përmes krijimit të një bërthame Kufitare Detare në dy reparte të bazuar në Durrës dhe Vlorë.
Në vitin 2007, bashkëpunimi me “Guardia di Finanzia” është thelluar, duke bërë të mundur forcimin e bashkëpunimit dypalësh në identifikimin, raportimin dhe asgjësimin e plantacioneve të kanabisit në territorin shqiptar.
Raporti vëren më tej se me një protokoll të veçantë shtesë, nënshkruar në Tiranë në vitin 2012, midis Departamentit të Sigurimit Publik të Ministrisë së Brendshme italiane dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit shqiptar, është përfshirë edhe mbikëqyrja ajrore në territorin shqiptar e vatrave me kanabis.
Një ditë më parë, roja bregdetare italiane tha se, bllokoi në brigjet e Pulias 816 kilogramë marijuanë dhe arrestoi dy skafistë shqiptarë.
“Nëse lënda narkotike do të tregtohej në tregun e paligjshëm të marijuanës, organizatat kriminale do të përfitonin rreth 8 milionë euro”, vlerësoi roja bredgetare italiane.
Sipas saj, “që nga fillimi i vitit 2017, janë rreth 11 tonë marijuanë që janë sekuestruar nga Guardia di Finanza vetëm në Pulia, gati sa gjysma e sasisë së bllokuar gjatë gjithë vitit 2016 në këtë zonë detare në kufi me Shqipërinë”.

Artikulli paraprakVrasja në Belgjikë, Prokuroria: 25 vite burg për Mark Frrokun
Artikulli tjetërBerisha: Zjarri i shekullit për historinë, dijen dhe kulturën