Edhe mediat e Ramës e pranojnë. Nuk mund të ketë afrim në Bashkimin Europian pa luftuar drogën. Deklaratat janë bërë të qarta një vit më parë në raport progresin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, por nuk u pranuan për asnjë çast nga Rama. Deklaratat e Brukselit ishin të qarta. Lufta ndaj drogës dhe krimit të organizuar është kusht i Bashkimit Europian, shprehej Brukseli. Krejt e kundërta në deklaratat e Ramës në media një vit më parë. Rama nuk e pranoi dhe ende sot nuk flet për kushtin e ri të BE për drogën. Në të kundërt Rama flet për “krimin etnik shqiptar” që sipas tij po pompohet me të padrejtë dhe ai ende nuk e ka të qartë se ku kërkon të dalë.
Edhe ambasadorja e BE, Vlahutin deklaroi pak ditë më parë se droga është një kusht i Bashkimit Europian. Deklarata e ambasadores erdhi pas katër vjet heshtje të plotë për fenomenin kriminal të pushtimit të Shqipërisë nga mbjellja me drogë në të gjithë vendin.
Fakti që edhe për drogën foli përfaqësuesja e BE, ishte një sinjal i qartë se edhe njerëz që i qëndrojnë pranë Ramës janë të detyruar që të pranojnë problemin që ka sot Shqipëria. Është ky problem që e lë Shqipërinë pas vendeve të tjera të rajonit në raport me integrimin europian.
Në fund edhe vetë mediat e Ramës që po ashtu si shefi i tyre mohonin që droga të ishte kusht i BE, tanimë po flasin për mesazhe të qarta të Brukselit për qeverinë Rama dhe jo për shqiptarët. Droga në fakt është litari i varur i Brukselit në qafën e Ramës.
Lajmi i djeshëm i “Top Channel”, një media e afërt me qeverinë, fliste qartazi për një kurs të qartë të Bashkimit Europian ndaj drogës dhe Ramës.
“Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi në fund të vitit të kaluar të mos kishte një raport progresi për vitin 2017 për vendet kandidate nisur dhe nga fakti që ai do të ishte një vit elektoral për shumë vende europiane.
Por, vendet e BE kishin lënë një dritare të hapur nëse kandidatët realizonin axhendat e tyre. Për Shqipërinë, reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme ishin kryesore. Por pas zgjedhjeve, duket se Brukseli ktheu vëmendjen tek hashashi.
‘Është e qartë se çfarë lipset që të ndodhë sa u takon pesë prioriteteve, por në veçanti lidhur me gjithë aspektet e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit’, deklaronte ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
‘Kam dëgjuar që kaloni reformën kushtetuese në drejtësi dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar kaloni vettigun dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar, bëni edhe zgjedhjet, pastaj zbatoni edhe Vettingun. Tani po dëgjoj edhe një gjë tjetër shumë interesante për mua, në kuptimin se ku do të dalë kjo; krimi etnik shqiptar’, deklaroi Kryeministri Edi Rama në ‘Top Story-n’ e 14 shtatorit.
E vërteta duket është diku në mes. Ndoshta Kryeministrit në Bruksel a Berlin mund t’ja kenë përmendur hashashin dhe më herët, por në publik zyrtarët e BE risollën betejën kundër drogës vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve duke dhënë kështu sërish një mesazh, ndoshta të qartë për qeverinë, por jo për shqiptarët”, shprehet “Top Channel”.
Enton DACI