Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mashtruar për ekzistencën e një raporti të Guardia di Finanza për gjoja shkatërrimin e 99.8 për qind të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në vitin 2016. Pas deklaratave të fundit të ministrit të Brendshëm Xhafaj tha se, Policia e Shtetit ka qenë e përfshirë në kultivimin e kanabisit, në kundërshtim me pretendimet e ish-ministrit Saimir Tahiri, “Exit” ka marrë konfirmim nga Ministria e Brendshme që i famshmi “Raporti i Guardia Finanza”, nuk ekziston.
Më 7 tetor 2016, ish-ministri Tahiri shpërndau të dhënat e një “raporti”, të cilin ai pretendonte se ishte hartuar nga Guardia di Finanza italiane. Ky raport pretendonte se në vitin 2016, Policia e Shtetit kishte shkatërruar 99.8 për qind të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në vend. Edhe pse vështirë se dikush i besonte ato shifra, ministri Tahiri i përdori ato në mënyrë agresive për të heshtur kundërshtarët dhe për të sulmuar opozitën.
Në një postim në Facebook, Tahiri shkroi: “Për ata që kanë sy e vesh, më poshtë të dhënat zyrtare të Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit […]:
[…] Në 2016, policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar. Në 2012 shkatërronte 0% dhe në 2013 shkatërronte 7,5%. Kush është narkotrafikanti?!?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!?!”
Pas paraqitjes së një kërkese për informacion për të marrë raportin që citonte ish-ministri Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genci Gjonçaj, i konfirmoi “Exit.al” se, “një raport publik në formatin që keni kërkuar nuk ekziston”.
Letra jep dhe informacione të mëtejshme se nga ku janë marrë të dhënat e “raportit” që Tahiri citon:
“…ndërsa informacioni i publikuar nga Policia e Shtetit dhe përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s, në datë 07.10.2016, është hartuar duke u mbështetur në procedimet penale për kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve, të kryera deri në atë periudhë. Këto procedime janë të depozituara në Prokurori e si të tilla, nuk mund të publikohen, për shkak të hetimit”.
Me fjalë të tjera, shifra prej “99,8 për qind e plantacioneve të shkatarruara”, e deklaruar nga ish-ministri Tahiri bazohej në procedimet penale të nisura nga Policia e Shtetit. Kjo përqindje tregon se, Policia ka shkatërruar 99,8 për qind të parcela që ka identifikuar. Dikush mund të pyesi çfarë ka ndodhur me 0,2 për qindshin e mbetur të plantacioneve të identifikuara?
Pra shifra prej 99,8 për qind nuk do të thotë asgjë për numrin e vërtetë të plantacioneve të kanabisit në vend, aktivitetin e policisë, apo suksesin e tyre. Ajo thotë vetëm se është “shkatërruar 99,8 për qind e saj që ne kemi gjetur”. Por kjo nuk do të thotë asgjë për situatën e vërtetë.
Pak ditë para se Tahiri të mashtronte për gjoja raportin e Guard di Finanza, mediat italiane publikuan një reportazh për kanabisimin e të gjithë vendit. Në pjesën e parë gazetarët italianë ishin në malet e Krujës, ku dëshmuan mbjelljen e kanabisit, ndërsa në emision ata kanë trajtuar problemin e trafikimit të lëndëve narkotike. Në të spikat deklarata e prokurorit italian, Kataldo Mota, se interesi i autoriteteve shqiptare ka rënë për të bashkëpunuar në goditjen e trafikut të drogës, ndërsa sasitë që kalojnë drejt Italisë mbeten shumë të mëdha.