Pas një njoftimi të bërë nga kompania mbikëqyrëse, policia është duke verifikuar ndërhyrjen në një kontejner në Portin e Durrësit.
Verifikimet janë duke u kryer në dyshimin se prej aty mund të jetë nxjerrë lëndë narkotike të llojit kokainë, megjithëse ende nuk ka rezultat nga hetimet.
Policia e Durrësit në bashkëpunim me agjentë të Drejtorisë së Përgjithshme është duke verifikuar një njoftim për ndërhyrjen në pjesën frigoriferike të një kontenieri në portin e Durrësit dhe dyshimet janë se mund të jetë nxjerrë prej aty lëndë narkotike kokainë.
Sipas informacioneve, sinjalizimet për këtë ndërhyrje, janë bërë nga kompania mbikëqyrëse në Port.
Burimet i thanë SYRI TV se, aktualisht janë kryer disa veprime në terren që lidhen me pamje filmike dhe këqyrje, por hetuesit janë ende të paqartë nëse ndërhyrja ka qenë për të marrë sasi të lëndës narkotike.
Syri Televizion kontaktoi edhe me Prokurorinë e Durrësit dhe mësoi se përgjatë këtyre ditëve nuk është bërë asnjë njoftim apo referim nga Policia, e cila është duke ndjekur rastin.
Kontenieri është i të njëjtës kompani që në datën 15 korrik u gjetën një sasi prej 12 kilogramësh kokainë e vendosur në pjesën frigoriferike. Në të njëjtin vend të kontenierit ishte fshehur edhe sasia e 137 kilogramëve e kapur në 2019-ën, që u tërhoq nga disa persona të tjerë në port, para se kontenieri të dilte.