Droga nga Shqipëria e sekuestruar në Brindisi kap vlerën e 7 milionë eurove

Droga e cila u kap në gomonen e nisur nga Ura e Mifolit nëse do të hidhej në treg do t’i sillte trafikantëve një fitim prej 6-7 milionë euro shkruajnë mediat italiane. Ndërkohë vijojnë kërkimet për tre personat që transportuan drogën dhe arritën të largoheshin nga gomonia, duke e braktisur mjetin lundrues në ujërat e zonës së Torre Pozella në bregdetin e provincës së Ostunit. Më pas, ata janë larguar, ndihmuar nga zona pyjore e këtij territori.
Rreth 700 kg drogë e nisur nga Vlora me gomone u sekuestrua dje gjatë një operacioni në Brindizi. Operacioni i nisur mbrëmjen e 18 shtatorit përfundoi në orët e para të 19 shtatorit me sekuestrimin e gomones, ku ndodheshin 31 pako me lëndë narkotike. Guardia di Financa ka postuar dhe video nga operacioni i sekuestrimit të drogës.
Ndërkohë, një superoperacion me 99 persona të arrestuar, mes të cilëve shqiptarë, italianë e grekë është rezultati i një hetimi të gjatë të nisur që në maj të vitit 2012 nga Policia e Breshias, Itali, por që më pas ishte shtrirë në shtete të ndryshme të Europës, si Holandë, Spanjë, Greqi, Belgjikë e Bullgari. Pas dy viteve hetime, Guardia di Finanza italiane ka mbyllur operacionin “Ring New”, që ka çuar në arrestimin e 99 personave (15 të fundit u vunë në pranga gjatë natës në Breshia, Napoli dhe jashtë Italisë) dhe janë sekuestruar rreth 5 ton drogë të llojeve të ndryshme dhe të mira materiale me vlerë që i kalojnë një milion euro (automjete luksoze, anije, kamionë dhe 500.000 euro KESH).
Efektivët kanë goditur 5 organizata kriminale me shtrirje ndërkombëtare që furnizonin me drogë brigjet shqiptare. Siç raportojnë mediat italiane, një peshë kryesore zinte një grup shqiptarësh që kishte kontakte me organizatat mafioze famëkeqe me rrënjë në Itali si, Ndrangheta, Camorra dhe Sacra Corona Unita. Gjithsej, 196 persona janë në hetim.
Hetimet filluan falë koordinimit gjyqësor të Eurojust, dhe përveç Italisë janë zhvilluar edhe në Belgjikë e Greqi. Në kuadër të këtyre hetimeve, në këto shtete janë kryer arrestime dhe sekuestrime të rëndësishme. Sasitë e kokainës dhe hashashit udhëtonin me kamionë të ndryshëm në pronësi të një shoqërie, që kishte ndërtuar shoqëri transporti enkas për këtë aktivitet në Belgjikë, Greqi dhe Bullgari.
Droga transportohej edhe në kamionë që niseshin nga Spanja dhe Holanda, e fshehur nën sasi të madha peshku, frutash dhe perimesh. Marijuana, e kultivuar në Shqipëri, arrinte Jugun e Italisë me motoskafë ose peshkarexha të mëdha, për t’u transportuar më pas në zona të tjera të Italisë me anë të rulotëve ose mjeteve të rënda që transportonin perime.

Artikulli paraprakZgjedhjet e lira me çmontimin e kupolës kriminale në qeveri
Artikulli tjetërMark Frroku “rebelohet” në gjykatë: S`më kanë llogaritur rrogën si deputet