Dosja e Klemend Balilajt, të njohur si “Eskobari i Ballkanit” mbetet në vend numëro. Shkak për këtë është bërë mosardhja e letër-porosisë me provat e plota nga autoritetet greke. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, edhe pse janë dërguar dy shkresa drejtësisë greke, ajo ende nuk ka sjellë materialet e plota të akt-ekspertimeve të drogës së bllokuar apo edhe provat e tjera të vlefshme për çështjen. Për këtë fakt, Prokuroria për Krime të Rënda mësohet se ka vazhduar me zgjatjen e afateve hetimore, duke mos kryer ndonjë veprim konkret për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, drejtësia greke ka sjellë në nëntor vetëm 12 fashikujt e kësaj dosje me përgjimet dhe prova shkresore për çështjen. Por nuk ka sjellë akt-ekspertimin e lëndës së sekuestruar, dëshmitë e të arrestuarve mes tyre edhe dy shqiptarëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët dyshohet se janë skafistët e nisur nga Shqipëria nga i pandehuri tashmë i shpallur në kërkim Klemend Balilaj. Gjithashtu, Prokuroria pretendon se autoritet greke nuk kanë sjellë edhe dëshmitë e shtetasve grekë, biznesmenëve me të cilët dyshohet se Balilaj mbante kontaktet për nisjen e sasive të ndryshme të drogës.
Veç këtyre provave shkresore, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk është shprehur edhe në lidhje me pasurinë e Klemend Balilajt dhe të afërmëve të tij. Prej muajsh, ka nisur një hetim pasuror ndaj tyre në bazë të Ligjit Antimafia, por ende nuk ka një vendimmarrje nga prokurorët e çështjes për këtë fakt. Mos marrja e një vendimi për pronat, është arsyetuar për mungesë të kthimit të përgjigjeve nga institucionet e tjera, si hipoteka, bankat apo qendra e regjistrimit të bizneseve.
Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime të Rënda ka mbi 15 muaj që ka nisur hetimet për Klemend Balilin, me dyshimin se është pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Për llogari të kësaj dosje, mësohet se autoritetet greke kanë arrestuar 15 persona dhe që dyshohet se nga janari i 2014-ës kanë trafikuar sasi të mëdha droge në vende të ndryshme të BE-së.
Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët. Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap para pak kohësh në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka angazhuar 3 prokurorë, të cilët do të merren me ndjekjen e hetimeve si dhe procedurat e kërkimit të Balilit nga drejtësia shqiptare. Burime nga akuza sqaruan se, Balili tashmë është shpallur në kërkim për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një mandat arresti të dhënë në mungesë ndaj tij nga pala greke, mandat ky i vlefshëm për territorin shqiptar.
R.POLISI