Droga, Nishani me Presidentin italian

Krimi i organizuar dhe trafiku i lëndëve narkotike ka qenë një nga temat e diskutuara dje mes Presidentit Nishani dhe homologut të tij italian Sergio Mattarella. Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Republikën italiane u prit dje në Pallatin Quirinale nga Presidenti italian, Mattarella.  Gjatë takimit, Nishani theksoi se përballja me krimin e organizuar e veçanërisht me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit është një sfidë shumë e rëndësishme, pasi ato janë shndërruar në një kërcënim në rritje si për qytetarët shqiptarë, por po aq edhe për qytetarët italianë, të cilët mund të vuajnë të njëjtat pasoja. Nishani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis të gjitha llojeve të agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve. Lidhur me Reformën në Drejtësi, Presidenti Nishani vlerësoi ekspertizën italiane si dhe theksoi se pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese me konsensus të plotë vjen hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, ai implementimit dhe monitorimit të këtij implementimi për të cilën ndihma italiane do të ishte shumë e domethënëse, veçanërisht në moskapjen politike të mekanizmave të drejtësisë. Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, zhvillimeve rajonale, si dhe sfidave dhe kërcënimeve nga flukset e paprecedenta migratore dhe terrorizmi e ekstremizmi i dhunshëm. Presidenti Nishani e informoi homologun e tij mbi rolin që Shqipëria vijon të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha këto aspekte, duke pasur dhe përgjegjësinë e të qenit i vetmi vend anëtar i NATO-s, nga gjatë vendet e mbetura ende jashtë Bashkimit Evropian. Presidenti italian Mattarella e siguroi Presidentin Nishani për vijimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të Italisë për Shqipërinë në të gjitha aspektet, veçanërisht në kuadrin e integrimit evropian dhe hapjes së shpejtë të negociatave të aderimit në BE. Presidenti Nishani shprehu që në fillim kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite zyrtare në Romë, duke e konsideruar një shprehje të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Presidenti Nishani, duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi dhe spektrit shumë të gjerë të bashkëpunimit u shpreh se “marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të partneritetit mes dy vendeve, të cilat bazohen në marrëdhënie shumë dimensionale historike, kulturore dhe ekonomike, vitet e fundit janë intensifikuar dhe ngritur në një nivel edhe më të lartë dhe kanë hyrë në një fazë të re dhe shumë dinamike, si në aspektin e bashkëpunimit politik e institucional ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik”.

Exit mobile version