Droga rekord në Mat, priten arrestime për zyrtarë policie

Pas sasisë rekord prej 3 ton kanabis sativa e sekuestruar në një magazinë në fshatin Rremull të Matit qëndrojnë zyrtarë të policisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, magazina ku grumbullohej droga dhe përgatitej për tregtim është ngritur nga një grup i strukturuar kriminal në bashkëpunim me zyrtarë policie. Sipas hetuesve, kjo sasi e madhe e drogës, e cila po thahej dhe 13 mijë rrënjët e asgjësuara nuk mund të menaxhohen nga një person i vetëm. Prokuroria bëri të ditur se, në hetime janë përfshirë emra zyrtarësh policie dhe persona të tjerë. Sipas hetuesve, kjo sasi e madhe e drogës, e cila po thahej dhe 13 mijë rrënjët e asgjësuara nuk mund të menaxhohen nga një person i vetëm.
Informacioni se në këtë zonë kultivohej kanabis kishte mbërritur në polici prej disa muajsh, por policia nuk ka ndërhyrë. Ky fakt përforcon bindjen e prokurorëve se, trafikantët kanë patur lidhje me zyrtarët e policisë për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit. Droga mbillej masivisht në këtë fshat dhe magazina ku u gjetën 3 ton shërbente si hambar për ta mbledhur, tharë dhe më pas shitur të gjithë sasinë që korrej. Grupi hetimor ka identifikuar disa persona, të cilët janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në këtë zonë dhe po punohet për mbledhjen e provave për t’i arrestuar më pas.
Ndonëse Prokuroria bëri të ditur se në këtë trafik droge janë përfshirë zyrtarë të Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mohoi që të ishin shpallur në kërkim punonjës policie apo të administratës lokale.

Parcelat u zbuluan para 5 muajsh, policia nuk ndërhyri

Sekuestrimi i 3 tonë kanabis u krye të mërkurën pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Parcelat me drogë janë evidentuar nga SHISH, i cili pak kohë më parë ka informuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi hartën e kanabisit në Shqipëri dhe kultivuesit apo zyrtarët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Bëhet e ditur se, hetuesit kanë zhvilluar 5 muaj hetime dhe përgjime për të zbuluar këtë aktivitet kriminal, për të identifikuar trafikantët kultivues dhe pronarët e tokave ku është mbjellë kanabisi. Të gjithë janë të identifikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia u njoftua ditët e fundit para se të kryhej aksioni antidrogë, për shkak se punonjës policie rezulton që të jenë pronarët e tokave që trafikantët kanë marrë me qira.
Droga e kapur në fshatin Rremull në Mat ishte një prej sasive më të mëdha të bllokuara ndonjëherë në vendin tonë. 3 ton kanabis ishte bërë gati për t’u tharë, ndërsa disa mijëra rrënjë kanabis ishin në parcelat e drogës, pronën e një personi të quajtur Shpëtim Lika. Ajo që bie në sy është se, nuk ka pasur asnjë të arrestuar për drogën.
Njësoj si në rastet e tjera të kapjes së sasive të mëdha të kanabisit del emri i pronarit të tokës ku janë parcelat, digjet kanabisi dhe hetimet nuk shkojnë më tej. Bashkëpunimi i hetuesve me policinë është thuajse inekzistent. Një ditë më parë, nga Prokuroria doli lajmi se zyrtarë të policisë dhe të administratës lokale ishin të përfshirë në kultivimin e kanabisit.
Rreth 30 minuta më pas, policia solli përgënjeshtrimin se ka pasur efektivë të policisë të përfshirë në kultivimin e drogës. Nëse efektivët e policisë së Matit nuk kanë bashkëpunuar për kultivimin e drogës, atëherë si nuk kanë dalluar gjatë gjithë vitit që në arat e Matit ishin mbjellë tre ton drogë?

Gjendet kamionçina e transportit të drogës

Pas zbulimit të magazinës së drogës në rrethin e Matit ku u sekuestruan mbi 3 ton drogë, policia ka gjetur një kamionçinë të braktisur në afërsi të saj, midis fshatit Rukaj dhe Prell. Kamioni është pikasur nga policia ditën e sotme, ndërsa ka dyshime se ai përdorej për transportimin e drogës.  Drejtuesi i mjetit ka arritur t’i shpëtojë policisë dhe është shpallur në kërkim.
Në vendngjarje mbërritën edhe përfaqësues të Prokurorisë së Matit, që vijojnë hetimet. Një ditë më parë, policia sekuestroi brenda magazinës 3 ton e 132 kilogramë kanabis. Magazina me një sipërfaqe prej rreth 400 metra ishte ndërtuar kohët e fundit buzë një përroi.

R.POLISI

Exit mobile version