Sërish trafik droge dhe armësh nga Shqipëria drejt Greqisë. Dy vëllezër shqiptarë të moshës 25 dhe 23 vjeç janë arrestuar në rrethinat e Selanikut, pasi policia i kishte vënë nën mbikëqyrje nën dyshimet për trafik droge e armësh. Atyre iu vunë prangat fillimisht, pasi në dy makinat e tyre u gjetën 10,7 kg kanabis. Më pas, gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën edhe armë e fishekë. Bëhet e ditur se tek 25-vjeçari policia gjeti 25,6 kg kanabis, ndërsa tek 23-vjeçari, 2,3 kg kanabis, një pistoletë me krehër dhe dy fishekë, një peshore precizioni, 3 doreza hekuri, 1.500 euro. Dy të arrestuarit do të dërgohen te Prokuroria e Selanikut, ku pritet t’u komunikohet masa e paraburgimit.
Ndërkohë, dy shqiptarë janë vënë në pranga si pjesë e një bande italo-shqiptare që merrej me trafik droge e kontrabandë cigaresh nga Shqipëria.Keljiant Laka, 28 vjeç, dhe Ali Gockaj, 47, janë dy shqiptarët e arrestuar, si përgjegjësit për transportin e drogës me skaf nga Shqipëria, shkruan “Brindisi Report”. Hetimi për këtë bandë ka nisur dy vite më parë, kur zbarkimi i një skafi me drogë drejt Italisë nuk shkoi si duhej. Pasi e kaluan drogën nga skafi në një automjet të tipit “Renault”, ata u pikasën nga autoritetet italiane.
Menjëherë braktisën automjetin, duke bërë kështu që karabinierët të sekuestronin 436 kg marijuanë. Deri më tani nga kjo bandë janë arrestuar 9 persona, megjithatë policia italiane me anë të përgjimeve po zbulon edhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë rrjet trafiku.