Drogë drejt Greqisë, ndalohen dy grekë dhe një shqiptar

Një i ri shqiptar është kapur me drogë nga policia greke pranë Janinës. Sipas mediave greke, 26-vjeçari shqiptar ka qenë duke lëvizur me një motor me drogë në kufirin greko-shqiptar. Motori u pikas në aksin Kakavijë-Janinë, ndërsa vinte nga kufiri i gjelbërt. Shqiptari nuk iu bind policisë dhe shtoi shpejtësinë, por u arrit të kapej më vonë në Karies, Janinë. Në motor u gjetën dhe sekuestruan 6 kg 850 gram marijuanë dhe u arrestua drejtuesi, shqiptar 26-vjeçar.
Gjithashtu në Bizani, Janinë u kap një sasi droge në një makinë me të cilën udhëtonin një shqiptar 33 vjeç si dhe një 30-vjeçar e një 23-vjeçare greke, që janë arrestuar si bashkëpunëtorë në trafik.
Dy shtetas grekë janë arrestuar për transportimin e një sasie kanabisi që ishte sjellë nga Shqipëria. Policia ndaloi në vendin e quajtur Vunoplagia, në aksin rrugor Igumenicë-Janinë, automjetin ku ndodheshin dy persona të moshës 50 dhe 25 vjeç.
Gjatë kontrollit, në brendësi dhe në karrocerinë e furgonit u gjetën gjithsej katër çanta të mëdha me kanabis. Pesha e drogës ishte 69,7 kilogramë. Policia po heton për zbardhjen e itinerarit të ngarkesës së drogës, ndërsa dy të arrestuarit do të dalin para prokurorit të Janinës, që do t’iu komunikojë akuzat dhe normalisht, masën e paraburgimit.

Exit mobile version