Drogë e armë nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë

Pas Italisë, trafiku i armëve dhe drogës nga Shqipëria vijon edhe drejt Greqisë. Policia e Selanikut bëri të ditur dje se, ka goditur një organizatë kriminale që trafikonte drogë dhe armë nga Shqipëria në Greqi. Autoritetet dokumentuan veprimtarinë dhe identifikuan 8 pjesëtarë të organizatës, 4 shqiptarë dhe 4 grekë të moshës 24-51 vjeç. Siç rezulton nga hetimet, nën urdhrat e drejtuesit të grupit, ishte 33-vjeçari shqiptar, Enkeledi Myrte, i cili më 15 maj të këtij viti ishte arratisur nga burgu grek. Sipas Policisë së Selanikut, nga fundi i muajit maj 2016, u krijua një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës dhe armëve. Konkretisht, gjatë periudhës qershor-korrik 2016, u kryen 4 transporte të paligjshme, gjatë të cilave u trafikuan nga Shqipëria në Greqi rreth 48 kg marijuanë, 3 kallashnikovë, një pistoletë, 318 fishekë dhe 1 granatë.
Pas operacioneve të organizuara nga Antidroga e Selanikut, u arrestuan 3 grekë në zonën e Ptolemaidhas dhe Selanikut, ku u sekuestrua edhe një sasi droge. Gjithashtu, në gusht 2016, në një zonë të Shqipërisë, u arrestuan nga policia shqiptare, kreu i organizatës kriminale dhe një 42-vjeçar shqiptar, të cilët ishin arratisur bashkë nga paraburgimi i Selanikut. Atyre iu sekuestruan nga policia shqiptare 3 kallashnikov, 1 pistoletë, 318 fishekë dhe 3.3 kg marijuanë.
Pasi ka shqyrtuar ngjarjet e disa muajve më parë, të lidhura me njëra-tjetrën, Shërbimi i Antidrogës ka mundur vetëm ditët e fundit të identifikojë tërë pjesëtarët e organizatës dhe të dërgojë dosjet e tyre në prokurori. Katër prej anëtarëve, që të gjithë shtetas grekë, ishin arrestuar në dy operacione të njëpasnjëshme, në muajin qershor.
Pas hetimeve, policia ka verifikuar lidhjet e tyre me drejtuesin e grupit, një shtetas shqiptar, i cili ishte arratisur nga qelitë e gjykatës së Selanikut në muajin maj ndërsa ishte arrestuar në Shqipëri, në muajin gusht. Bashkë me të ishte arrestuar edhe një bashkatdhetari i tij, gjithashtu pjesëtar i organizatës. Bëhet se pas arratisjes, tre pjesëtarë të organizatës, bashkëpunuan në transportin dhe fshehjen e 33-vjeçarit shqiptar gjatë qëndrimit të tij në Greqi.

Sekuestrohen 174 kg drogë në Igumenicë

Policia greke sekuestroi të dielën 174 kg marijuanë në Igumenicë. Operacioni është zhvilluar gjatë paradites në rrugën rurale Filat-Igumenicë, ndërsa bëhet e ditur se, droga ishte futur nga Shqipëria. Droga që ishte e ndarë në 90 pako u gjet në një mjet që drejtohej nga 44-vjeçari Alket Dhroso nga Saranda, i cili u arrestua nga policia. Marijuana kishte si destinacion tokën greke. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë nga Antidroga e Igumenicës. Në kërkim janë edhe tre të tjerë që ende nuk janë kapur, pasi Alket Dhroso nga Saranda ka deklaruar se drogën e kanë kaluar nga mali 6 persona dhe ai ka shkuar e ka marrë me makinë. Policia greke nisi një operacion të madh në kufi me Shqipërinë pas arrestimit të Dhrosos me 174 kg marijuanë, në rrugën rurale Filat-Igumenicë.

29 kg kokainë në Greqi, në pranga dy shqiptarë

Një sasi prej 29 kg kokainë u sekuestrua nga policia greke dy ditë më parë, ndërsa detaje të reja dalin në dritë. Sasia e lëndës narkotike ishte trafikuar nga Holanda në drejtim të Greqisë, ndërsa trafiku ishte kryer nga karteli i drogës “Cali” në Kolumbi. Lënda narkotike kishte “markën” e kompanisë së njohur të modës “Louis Viton”, ndërsa synimi ishte shpërndarja në lagjet më të “mira” të Athinës.
Kokaina me cilësi të lartë dhe e pastër ishte trafikuar nga shqiptarë dhe grekë, të cilët kishin qasje në kokainën kolumbiane që transportohej në Evropë direkt nga Amerika Latine. Pas përgjimeve të kryera nga policia greke, u zbulua se në trafik ishin përfshirë të paktën dy grekë, pronarë të një kamioni si dhe dy shqiptarë nga Korinthi. Kamioni me sasinë e lartë të kokainës u gjet në Portin e Patras, ndërsa midis të arrestuarve ishin edhe dy shqiptarë, një 31-vjeçar dhe një 33-vjeçare.

Kapen 10 mushka që transportonin drogë në Greqi

Në fshatin Rakickë të Korçës janë gjetur 10 mushka që dyshohet të jenë futur kontrabandë nga Greqia. Të paktën për këtë vepër penale janë referuar materialet në Prokurori, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burime nga policia thonë se, ka dyshime që këto kafshë të jenë përdorur për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë, një metodë kjo e përdorur disa herë në kufirin greko-shqiptar nga trafikantët. Dyshimin për përdorimin e këtyre kafshëve për drogë e shton edhe fakti se sasi të mëdha kanabisi janë kapur gjatë javës së fundit nga autoritetet greke dhe janë arrestuar disa shqiptarë.

19 kg kokainë destinacion Durrësin bllokohen në Itali

Plot 19 kilogramë kokainë e pastër është sekuestruar në Portin e Gioia Tauro të Italisë fqinje. Droga u gjet në një operacion të përbashkët të Guardia di Finanza të Reggio Calabria, sëbashku me punonjësit e doganës. Sipas “Rai News”, kokaina ishte e ndarë në 17 pako dhe çmimi i saj në treg shkonte deri në 4 milionë euro. Policia italianë bëri të ditur se, droga u gjet e fshehur në një konteiner që transportonte pula të ngrira që vinte nga Brazili dhe kishte si destinacion Durrësin.
Ende nuk jepen detaje të mëtejshme rreth personave të arrestuar në këtë operacion ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Reggio Calabria cilësohet si një nyje kyçe në këtë trafik. Vetëm në Portin e Gioia Tauro-s janë sekuestruar mbi 1100 kilogramë kokainë e cilësisë së parë, që nga fillimi i këtij viti.

64 kg drogë kalon nga Porti i Vlorës, kapet në Brindizi

Kapet në Brindizi me 64 kg hashash të futur në makinën e tij një 27-vjeçar. I riu nga Vlora ishte nisur me tragetin e linjës dhe kishte futur në makinë 64 kilogram hashash. Policia italiane e ndaloi atë, pasi vuri re disa lëvizje të dyshimta që ai po bënte me makinë. Kur i kanë bërë shenjë të ndalojë, ai ka tentuar të largohet, duke dalë me shpejtësi nga makina. Efektivët e policisë e ndaluan dhe në bagazhin e makinës gjetën 11 pako me 64 kg hashash.

Kapen me 16 kg drogë në Itali

I buzëqeshi dhe përshëndeti përzemërsisht agjentët e policisë për të mos e ndaluar, por në makinën e tij u gjetën 16 kg marijuanë. “Trafikanti” ishte duke udhëtuar me nipin tij, të dy shqiptarë, kur u ndaluan nga policia rrugore e Arezzo-s në Itali në autostradën A1, pranë Civitella in Valdichiana (Arezzo), raportojnë mediat lokale. Droga u gjet në bagazhin e mjetit, e futur në një valixhe dhe e ndarë në 16 paketime, të mbështjella me celofan. Xhaxhai që drejtonte mjetin punonte për një kompani që ndihmonte ata që kishin automjetet e bllokuara dhe ishte i bindur se efektivët nuk do ta ndalonin.

Dy shqiptarë kapen në Itali me kokainë

Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Raguzës në Itali për shpërndarje droge. Siç raportojnë mediat lokale italiane, dy emigrantët shqiptarë janë Kristal Malaj, 23 vjeç dhe Elzen Aliaj, 26 vjeç. Dy të rinjtë janë vënë në pranga, pasi agjentët e San’t Anna, kontrolluan automjetin e tyre tip “Suv” dhe gjetën disa gramë kokainë dhe disa kartëmonedha 20 euroshe. Ndërsa pas kontrollit të policisë, në banesat e dy shqiptarëve janë gjetur mjete që përdoreshin për matjen dhe paketimin e drogës.

Sekuestrohen 343 kg kanabis në Fier

Plot 343 kilogramë kanabis sativa janë sekuestruar gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në Fier, ndërsa në pranga janë vënë 11 persona, 3 janë proceduar penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Fierit deklaron se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Gryka”, ku përveç 343 kg kanabis janë sekuestruar 425 fara kanabis, një armë zjarri gjysëm automatike dhe 75 fishekë model 56.
Droga është sekuestruar në banesat disa prej personave të arrestuar, ndërsa baza për prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike shërbente shtëpia e një 81-vjeçari i cili është shpallur në kërkim.
Operacion është kryer pas një hetimi disa mujor me metodat speciale të hetimit nga Prokuroria, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim edhe me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Përgatiti
Rexhep POLISI

Artikulli paraprakBerisha denoncon në Crans Montana shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbi të Europës
Artikulli tjetërShullazi, me pistoletë në bark e duart në fyt Beqes