Policia e Shtetit njoftoi dje se ka sekuestruar 250 kg drogë në një vilë tek Uji i Ftohtë në Vlorë, por ish-Kryeministri Berisha u shpreh se kjo sasi droge është gjetur në një nga vilat qeveritare. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, droga është gjetur te “vilat qeveritare”, dhe është fshehur nga një i afërt i qeverisë.
“Drogë në vilat qeveritare te Uji i Ftohtë, Vlorë! Policia njoftoi se ka sekuestruar në një vilë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, 250 kg drogë. Dihet botërisht se zona e vilave të Ujit të Ftohtë është zonë rezidenciale e vilave të qeverisë ndaj dhe mesa duket, një i afert i qeverisë ka zgjedhur zonën rezidenciale të vilave të qeverisë, duke ditur dhe tolerancën dhe vlerësimin e madh të Noriegës për drogën, për të fshehur në një vilë të asaj zone sasi kolosale droge.
Pas mbushjes me drogë të tuneleve të ushtrisë, magazinave të Rezervave Shtetërore, tani radha duket se u ka ardhur edhe vilave e rezidencave qeveritare, natyrisht me qira të majme për bosët e tyre me pushtet te zona e Ujit të Ftohtë”, shkruan Berisha.
Policia shpërndau një lajm dje se ka bërë një operacion në vilën në Ujin e Ftohtë dhe ka sekuestruar 211 kg kanabis. Një operacion policor është zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku policia ka mësyrë tek një vilë dykatëshe, për të cilën dyshohej se ishte bazë për grumbullimin dhe shitjen e kanabisit.
Operacioni policor antidrogë i koduar “Fillim Vjeshte” solli arrestimin në flagrancë të Dilaver Pecajt, një 41-vjeçari nga fshati Trevllazër, që ishte i dyshuari kryesor si dhe nisjen e kërkimeve për dy persona të tjerë: F.P dhe A.M. Vila në të cilën ndërhyri policia rrezikon të sekuestrohet, pasi kjo pronë dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.
Në njoftimin e policisë thuhet se, operacioni është zhvilluar në lagjen Uji i Ftohtë”, në një banesë 2 katëshe, ku në një nga dhomat e kësaj banese është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike kanabis sativa, me një peshë totale rreth 211 kg e 700 gramë.
“Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi: Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë. Gjithashtu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë rezultuar edhe shtetasit F.P., 47 vjeç dhe A.M. 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor.
Njëkohësisht po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të ”Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se, ka nisur një operacion masiv për kontrollin e zonës bregdetare, me qëllim goditjen e trafikut të lëndëve narkotike që mund të kryhen nëpërmjet kufirit detar. Në fakt ky superoperacion nuk ishte gjë tjetër veçse show i radhës i Ramës dhe Çakos për t’i hedhur hi syve shqiptarëve se gjoja po goditet trafiku i drogës. Policia tha se në këtë operacion kanë marrë pjesë 1140 forca policore dhe janë arrestuar 32 persona, por nuk publikoi asnjë emër apo iniciale të personave të arrestuar. Ky fakt tregon se ky operacion nuk ishte gjë tjetër, por një farsë.
Dy ditë pasi policia nisi operacionin antidrogë, 2.3 ton drogë u trafikuan nga brigjet shqiptare për në Itali. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa. Zv/prokurorja e Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni bëri të ditur se, sasia më e madhe e drogës të kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri. Sipas zv/prokurores në pranga për këtë sasi të madhe droge janë vënë një shqiptar dhe një italian.
R.POLISI