63 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia greke ditën e djeshme në shtetin grek. Lënda narkotike ishte fshehur në një makinë që drejtohej nga 48-vjeçari grek, ndërsa para tij lëvizte një tjetër automjet, i cili monitoronte rrugën nëpër të cilën do të transportohej droga.
Por policia greke ka pikasur lëvizjet e dyshimta të dy mjeteve dhe ka bërë ndalimin e tyre në aksin rrugor Kapshticë-Siatista. Nga kontrolli rezultoi se në mjetin e drejtuar nga shtetasi grek gjendeshin 4 çanta me 106 pako marijuanë, pesha totale e së cilës arrin në 63 kilogramë.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit ku u gjet droga, si dhe dy shtetasit grekë që ndodheshin në mjetin tjetër që kontrollonte rrugën, një djalë 18 vjeç dhe një vajzë 19 vjeç. Sakaq, policia sekuestroi edhe 1550 euro që iu gjetën vajzës dhe 3 aparate celularë.