Është zbardhur dosja dhe përgjimet për të cilën u pyet në SPAK pak ditë më parë Artan Lame. Emri i ish-kreut të Kadastrës del në përgjimet e bisedave të vartësve për blerjen e votave në zgjedhjelt lokale të vitit 2019.
Bëhet fjalë për çështjen ku kanë rënë në pranga më 26 prill të këtij viti, zyrtari i Kadastrës, Dritan Stoka dhe kryeplaku i Saukut në Tiranë, Agim Osmani. Të dy, gjatë kohës që Kadastra drejtohej nga Lame, kundrejt përfitimeve të paligjshme, kanë kërkuar votën për PS në këmbim të lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Në kuadër të këtij procedimi, Ish-kreu i Kadastrës Artan Lame u mor në pyetje për mbi 2 orë e 30 minuta në SPAK pasditen e 26 Qershorit.
Deri më tani Prokuroria e Posaçme ka vënë nën akuzë 4 persona por SPAK dyshon se në skemën e dhënies së lejes së legalizimeve kundrejt votës dhe presioneve për vendin e punës janë të përfshirë edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë.
Në dosjen voluminoze të siguruar nga Euronews Albania ku janë qindra orë përgjime përmendet edhe emri i Lames nga ish vartësi i tij Dritan Stoka, i arrestuar tashmë nga SPAK.
Bisedat datojnë pak ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Pjesë nga përgjimet:
Dritan Stoka: Ma le atë gjën, të ikim tek Izeti pra, këtu tek Osma, ke lokali, me Tan Lamen
Dritan Stoka: Kafe në zonë, me kë do bësh kafe, me kë do pini, që do çosh Lamen dhe Sonilën ?
I paidentifikuar: Leje legalizimi në dorë, i ka premtuar shefi, o Tan
I paidentifikuar: Atë porosinë e more të drejtorit ?
I paidentifikuar: A.T për punësim nga shefi, V.M për tu mbajtur në punë.
Krahas këtyre përgjimeve, SPAK dyshon se votuesit u vunë nën presion për të votuar për Partinë Socialiste, duke u kërcënuar me vendin e punës ndërsa në pah del edhe sistemi i patronazhimit të qytetarëve.
Pjesë nga përgjimet:
Dritan Stoka: O Gim un du nga ty 600 vota, bëj ca të duash, vrit veten
Dritan Stoka: Kë ke tjetër në patronazh, përveç këtyre, sa emra të tjerë ke ?
Dritan Stoka: Thuj, daja po nuk vouat thuaj, mua më heqin nga puna thuaj, bëja fakt të krym.
Po ashtu për këtë dosje nën akuzë SPAK ka vëne edhe ish juristin e Aluizmit Alqi Hajdini dhe sekserin Ylli Baruti të cilët nëpërmjet rryshfetit siguronin lejet e legazimit për ndërtimet informale.