Dua djalë! Shqipëria dhe plaga e abortit selektiv

Një ekzaminim me ultratinguj (eko) mund të zbulojë seksin e fetusit në mënyrë JO 100% të besueshme para javës së 12-të të shtatzënisë, duke mundësuar kështu abortin selektiv të vajzave, si dhe duke rrezikuar shëndetin e nënës. Kostoja e ulët dhe jo invazive e ekzaminimit me ultratinguj ka çuar në përdorimin e tyre për përcaktimin e gjinisë fetale, pavarësisht nga ligjet kundërvajtëse, duke reflektuar një rritje të habitshme të rasteve të kryerjes së abortit selektiv. Numri i djemve të lindur rritet duke abortuar selektivisht embrionet apo fetuset e vajzave. Do të thotë që ofruesit e kujdesit shëndetësor kryejnë aborte, shpesh edhe pa pyetur për motivimin që qëndron pas kërkesës. Gratë zgjedhin të kryejnë procedura mjekësore, të cilat konsiderohen potencialisht të dëmshme për shëndetin e gruas, gjithashtu për shtatzënitë e mëvonshme.
Avancimi i teknologjisë dhe thjeshtësia e qasjes ndaj teknologjive të reja kanë bërë që çiftet, krahas aborteve në mënyrë të jashtëligjshme, të synojnë edhe përdorimin e teknologjive për të patur një djalë. “Fekondim In Vitro”, fjalë për fjalë do të thotë “bebe në epruvetë”. Në fekondimin in vitro, mjeku bën në laborator bashkimin e qelizës seksuale femërore me atë mashkullore, dhe sapo krijohet embrioni (qeliza e parë humane), ai vendoset në trupin e nënës, ku zhvillohet njëlloj me shtatzëninë natyrale. Fekondimi In Vitro kryhet te pacientet të cilët nuk mund të kenë një shtatzëni në rrugë natyrale, dhe jo për të pasur djalë apo vajzë në varësi të preferencës së çiftit. Por çfarë ndodh realisht?! Marsel Haxhia, embriolog klinik, në një intervistë për “Shëndet plus” tregon se këtë procedurë e kërkojnë jo vetëm çiftet të cilët nuk kanë mundur të kenë një fëmijë në rrugë natyrale, por edhe ata që kanë synimin për të patur patjetër një djalë. Haxhia i mëshon shumë faktit që zgjedhja e gjinisë së bebit edhe në këtë rast nuk është e lejueshme.

A është e mundur të zgjedh një “djalë” përmes metodës FIV?
Fekondimi In Vitro kryhet te pacientet të cilat nuk mund të kenë një shtatzëni në rrugë natyrale, dhe jo për të pasur djalë apo vajzë në varësi të preferencës së çiftit. Gjithsesi, ekziston teknika e PGS, që është kontrolli gjenetik i embrioneve përpara se ato te kenë mundësi të japin një shtatzëni. Kjo teknikë i shtohet procedurës së Fekondimit In Vitro.
Në fekondim in vitro, çfarë bëjmë? Ne e stimulojmë gruan që të maturojë më shumë se një vezë, sa është numri i vezëve që çdo grua mund të prodhojë vetë në mënyrë natyrale çdo cikël menstrual. Mënyra e stimulimit të kontrolluar të vezores është shumë individuale dhe është në varësi të modelit të vezores të çdo gruaje. Zakonisht numri i vezëve, të një gruaje që është në moshën midis 25-35 vjeçare, që mund të diferencohen me stimulim mund të variojë nga 10-15 vezë. Këto 10-15 vezë ne nuk i lëmë të “çelin”, por i marrim jashtë trupit të njeriut dhe vezët i bashkojmë me spermatozoidët e bashkëshortit. Nga këto 10-15 vezë formohen zakonisht 80-100% embrione. Embrioni është bashkimi i materialit gjenetik të të dy partnerëve. Maksimumi që mund të rrinë embrionet në laborator janë 5-6 ditë. Teknika e analizës gjenetike të embrioneve bëhet ose në ditën e 3-të ose në ditën e 5-t të zhvillimit. Në ditën e 3-të të zhvillimit, një nga këto qeliza hiqet jashtë embrionit dhe çohet në laboratorin gjenetik. Ndërkohë që embrioni rri në laboratorin tonë. Dhe për secilin embrion pas një ditë ne na vjen rezultati: që është normal gjenetikisht apo jo, si edhe seksi. Arsyet që çifteve i rekomandohet kjo teknikë shtesë janë totalisht mjekësore, si për shembull çiftet që kanë mbi 2-3 in vitro të dështuara pa arsye, çifte të cilët kanë një anomali të provuar në hartën gjenetike të tyre (kariotip), rekomandohet tek ata pacient që kanë anomali të provuar të kromozomeve të seksit, që do të thotë që transmetohet vetëm në disa embrione dhe duhen zgjedhur ata që janë të shëndoshë gjenetikisht. Kjo është analiza gjenetike e embrioneve.
Fekondimi in Vitro, me analizë gjenetike të embrioneve(PGS), ku analiza gjenetike e embrioneve rekomandohet për të përzgjedhur seksin, nuk është e ligjshme.

Keni detyrim/ të drejtë t’jua thoni pacientëve gjininë e bebit? Dhe nëse ata insistojnë për këtë, si duhet të silleni ju?
Ne nuk kemi detyrim t’u themi çifteve për seksin e embrionit/eve që do transferojmë, pasi nuk është ky qëllimi. Ekzistojnë disa gjëra teknike në mes. E para, ditën e pestë ne kemi rezultatin e secilit embrion. Embrionet ne i zgjedhim nga disa këndvështrime, që të japim edhe shtatzëni të shëndoshë. Ne bëjmë një selektim në bazë të zhvillimit embrional dhe hartës gjenetike të embrionit. Ndër ato embrione që janë normal gjenetikisht dhe janë më të përshtatshëm për të dhënë shtatzëni. Për shembull, nga 10 embrione të kontrolluar dalin 5 që janë normale, nga këta të 5 ne përzgjedhim 1-2 më të mirët, të cilat kanë potencial të lartë të japin shtatzëni.
A kanë pacientët preferenca për gjininë?
Po, në shumë raste. Domethënë ne mund të shohim mesatarisht 2-5 raste në muaj çifte të cilët vijnë dhe janë gati të paguajnë një mal me para për të pasur mundësinë e një djali. Theksoj mundësinë, pasi nuk është e sigurt shtatzënia. Nuk është etike dhe e lejueshme me ligj. Çiftet që kanë kërkesë të tillë, refuzohen apriori që në konsultën e parë.
Kemi dëgjuar raste kur burri martohet më shumë se një herë kur nuk arrin të ketë djalë me gruan e parë… Gjinia e bebit “varet” nga gruaja?
Për çdo ejakulim, për çdo marrëdhënie që çifti ka, burri depoziton në qafën e mitrës së gruas përafërsisht 200 000 000- 300 000 000 spermatozoide. Disa kanë X, disa kanë kromozomin Y. Se cilët arrijnë te veza dhe kë përzgjedh veza është rastësi.
Por ka dy teori në këtë rast: E para është se ka të bëjë me spermatozoidet, domethënë spermatozoidet që kanë Y janë më të dobët për të shkuar te veza.
Teoria tjetër është që mukusi i qafës së mitrës apo mukusi vaginal krijon antikorpe, krijon bllokadë për spermatozoidet Y. Por kjo nuk është e ndarë, që të thuhet është kjo apo ajo arsye.

Doktor, përgjithësisht çiftet që paraqiten dhe kërkojnë djalë janë familje që nuk kanë fëmijë tjetër (pra është fëmija i parë, apo janë familje me fëmijë, pra vajza)?
Pothuajse të gjithë çiftet që vijnë dhe kërkojnë djalë janë ata të cilët kanë fëmijë, kanë vajza dhe duan të kenë një djalë. Këto janë fenomene që ndodhin më tepër në vende të Ballkanit, të cilët kanë një kulturë patriarkale dhe duan të kenë djalë.
Përjetime nga Lezha, Kukësi, Korça
Në takime (fokus grupe) me komunitetin e Lezhës, Kukësit, Korçës, edhe pse pa dëshirë për t’u shprehur me emra konkret, u pranua se aborti selektiv për shkak të gjinisë ndodh. Ata rrëfyen raste të dëgjuara, por edhe të përjetuara që lidhen me këtë fenomen.
Në artikullin e mëposhtëm jashtë zgjedhur disa nga këto rrëfime, duke ruajtur anonimatin e rrëfyesit, me qëllim mos cenimin e privatësisë së tyre.
Lezhë- Fëmijën e parë e dua djalë
“Nuk mund të mohojmë mendimin e përgjithshëm që është tek ne. Të gjitha familjet duan patjetër të kenë një djalë në familjen e tyre. Ka familje që kanë 5 apo 6 vajza dhe fëmija i fundit është djalë. Ku e dimë ne se para se t’u lindte djali ato nuk kanë abortuar 1 apo më shumë fetuse femra. Unë kam dëgjuar disa raste të tilla në zonën tonë. Në momentin që materniteti nuk ua mundëson abortimin e fetuseve femra, gratë u drejtohen klinikave private në qytet apo edhe në Tiranë”, tregon një i ri nga një fshat i Lezhës.
“Unë për vete, shton ai, dëshiroj që fëmijën e parë ta kem djalë. E di se ky është një mendim që i penalizon vajzat, por nuk mund ta ndryshoj”.

Shëngjin- Kam 4 vajza. Ndjej presionin e familjes, duan një djalë
“Kam 3 vajza. Aktualisht jam shtatzënë dhe mjekët më kanë thënë se është sërish vajzë. Nuk e mendoj që ta abortoj fëmijën, në asnjë mënyrë, por është një presion i nënkuptuar nga ana e familjes. Ata duan patjetër një djalë. Bashkëshorti im më thotë në mënyrë të përsëritur që ne do të provojmë të kemi një djalë. Kjo vjen nga dëshira për të trashëguar mbiemrin. Duke qenë se vajzat në zonën tonë në momentin që martohen marrin mbiemrin e bashkëshortit, e vetmja mundësi për të mbajtur “shtyllën e familjes” janë djemtë”, shton një zonjë rreth të dyzetave nga Shëngjini i Lezhës.
Korçë- Abortoi, dhe rrezikoi jetën
Dëshira për të lindur djem është e përhapur në të gjithë vendin. Në fshatin Dishnicë të Korçës, e cila kërkoi të mos i përmendej emri, pranon se gratë e zonës kanë abortuar fetuse femra.
“Unë kam dëgjuar raste të tilla. Nuk mund të them se është e përhapur në masë, pasi shumë femra e njohin rrezikun e një aborti, por ndërprerja e shtatzënisë me bazë gjinore ndodh. Nga të afërmit e mi jam njohur me një rast të ndërprerjes së shtatzënisë, ku më pas gruaja ka pasur komplikacione të shumta. Ka qëndruar disa javë në spital deri sa e ka marrë veten”.
Kukës- Vjollca Alinci: Kur zgjedhin të abortojnë fetusin, gratë e gjejnë një mënyrë
Situata është e ngjashme edhe në rrethin e Kukësit. Vjollca Alinci, infermiere- mami pranë maternitetit të Kukësit, pranon se gjatë punës së saj ndeshet në shumë raste me kërkesa të grave për të abortuar vajzat.
Aborti i vajzave nga dëshira për të lindur djem është tashmë një fenomen i njohur. Ne përpiqemi që t’i bindim ato të ndryshojnë mendje, por nuk mund të përjashtojmë që ndodh. Nënat që kanë vendosur të kryejnë një abort të tillë me bazë gjinore e gjejnë mënyrën. Fillimisht u drejtohen klinikave private të zonës, ndërsa më pas mund të shkojnë në qytete më të mëdha apo në Tiranë, për të çuar deri në fund vendosmërinë për të ndërprerë shtatzëninë. Në këto raste, unë mendoj se është vrasje e mirëfilltë, pasi edhe ligji nuk e pranon

Exit mobile version