Dua të shënoj me kombëtaren

16 gola të shënuar te Gaz Metan. Azdren Llullaku është lojtari i vitit në Ligën e Parë rumune. 28-vjeçari nga Istogu është golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe njëkohësisht pozicionohet mes sulmuesve më të mirë në Europë. Kuqeziu ndodhet në vendet e larta të renditjes për Këpucën e Artë, pas Aubameyang të Borussia Dortmund e Kabaev të Kalev në Estoni, ndërsa me 24 pikë ndan vendin e tretë me Modeste të Kolnit dhe Edin Dzeko të Romës.
“Jam i kënaqur që golat e mi po ndihmojnë skuadrën që të marrë pikët. Kemi fituar kundër të gjitha skuadrave më të forta në Rumani, nga Steaua te Dinamo e Bukureshtit, skuadra që kanë një histori të madhe. Në këtë moment ndodhemi në pozita mjaft të mira dhe shpresoj që ta mbyllim sezonin sa më lart. Përsa i takon prezencës time në vendin e tretë të garës për Këpucën e Artë në Europë, natyrisht që ndihem shumë mirë. Të jesh mes këtyre emrave të futbollit është një kënaqësi shumë e madhe”, u shpreh Llullaku.
Pas rrjetave me skuadrën e tij, objektivi i Llullakut mbetet të ndihmojë edhe kombëtaren, ku pas dy ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Izraelin nuk e ka festuar ende golin. “Dëshira ime më e madhe është të ndihmoj kombëtaren me gola. Ndeshja me Izraelin ishte e çuditshme, sepse mbetëm në inferioritet pas vetëm 15 minutave, ndërsa u ndëshkuam edhe me penallti. Por, shpresoj që në ndeshjet që do të vijnë do të na ndryshojë fati, ndërsa unë ta ndihmoj Shqipërinë me gola”, tha ai.
Disfata e pabesueshme me Izraelin nuk e ka demoralizuar, përkundrazi mesfushori me tipare ofensive beson se Shqipëria do t’i luajë shanset e saj deri në fund. “Normale që pozicionimi në vendin e dytë në grup duket i vështirë, megjithatë i vështirë ishte edhe kualifikimi i Shqipërisë në Europian dhe ekipi ia doli. Kombëtarja ka kaluar shumë gjëra të vështira dhe në fund ia ka arritur aty ku e ka vendin. Unë kam shpresa deri në fund, për aq kohë sa matematika na e lejon që të pretendojmë për t’u klasifikuar pse jo edhe në vendin e dytë ose të tretë”, tha Llullaku.
Me shkëlqimin e këtij sezoni, interesimi ka ardhur në rritje. Ofertat nuk mungojnë, skuadra nga ligat më të mëdha europiane e kanë në monitorim, ndërsa Azdren Llullakun dëshiron të luajë në Itali. “Kam kontratë deri në verën e ardhshme, por aty ekziston edhe një klauzolë, që nëse vijnë oferta të kënaqshme mund të largohem prej muajit dhjetor. Ka pasur interes, nga ekipe nga Rusia, por diçka po lëviz edhe nga Italia apo edhe nga ligat më të mëdha në Europë. Dëshira ime është që të kem mundësi të luaj në Itali, aty ku jam rritur dhe ku jeton familja ime, megjithatë për momentin ende nuk ka diçka konkrete”, përfundoi Llullaku.

Exit mobile version