Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se SHBA shpreson që në zgjedhjet e 11 majit, të shohë kandidatë të panjollosur nga korrupsioni.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kasanof u shpreh se kandidatët po ashtu, nuk duhet të kenë lidhje me krimin e organizuar.
Këto kritere sipas zyrtarit të SHBA, do të sillnin një rezultat më të mirë për Shqipërinë.
Zëri i Amerikës: Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm. Disa nga shqetësimet kryesore në të kaluarën kanë qenë blerja e votave, shpërdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet dhe ndikimi i krimit të organizuar në këtë proces. A ndani dhe ju të njëjtat shqetësime dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?
Alexander Kasanof: Pritshmëritë tona janë njësoj si për cilindo vend që zhvillon zgjedhje, që presim të shohim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që do të respektohet vullneti i popullit. Po ashtu, shpresojmë fort që do të shohim kandidatë që janë tërësisht të panjollosur nga korrupsioni apo nga lidhje me krimin e organizuar. Mendojmë se do të ishte rezultati më i mirë për Shqipërinë.