Duel me kampionët e Europës?

Shtatë muaj më parë, Copa America Centenario ishte një kompeticion thuasje i vdekur, për shkak të skandeleve të FIFA-s, ku ishin përfshirë drejtues të Cocacaf-it dhe Conmebol-it. Por tani që kanë mbetur për t’u zhvilluar vetëm finalja dhe sfida për vendin e tretë e këtij turneu jubilar, organizatorët mund të marrin frymë lirisht, madje të jenë krenarë për arritjet e tyre. Ky edicion i veçantë i Copa America, i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një sukses i paprecedent. Çdo ndeshje është ndjekur metasatarisht nga 46 mijë spektatorë, shifër kjo që e bën Sunil Gulati, presidentin e Federatës së futbollit të Shteteve të Bashkuara të ndihet krenar.
Kjo është mesatarja më e lartë e pranisë së tifozëve në historinë e Copa America, madje një statistikë më e mirë se në 5 edicionet e fundit të Kupës së Botës dhe se në 6 europianët e fundit. Edhe në lojërat olimpike të Los Angelesit në vitin 1984 dhe të Atlantas në 1996 nuk ka patur kaq shumë tifozë në shkallët e stadiumeve. 1 miliard e gjysmë në të gjithë botën i kanë ndjekur ndeshjet nga televizori. Dikush madje  ngre hipotezën që çdo katër vite Copa America duhet të zhvillohet me këtë formulë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Conmebolit, paraguajani Alejandro Dominguez, e konsideron një sukses të jashtëzakonshëm sportiv. Sipas tij me një mesatare prej më shumë se 3 gola për ndeshje dhe me një tifozëri për t’u marrë shembull, lë pas edhe Europianin që po zhvillohet në Francë. Por ai shkon edhe më tej, duke lëshuar një sfidë. Do të ishte bukur që fituesja e Copa America të përballet me skuadrën që do të ngrejë trofenë e Kampionatit Europian. Një ide tashmë e propozuar në FIFA.

Exit mobile version