Duhani si armët e shkatërrimit në masë

Duhani vlerësohet të jetë shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Sipas statistikave ndërkombëtare, të cilat i prezantojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milionë njerëz në botë.
Me datën 31 maj, shënohet Dita Botërore Kundër Duhanit. Në Kosovë, kjo ditë është shënuar me aktivitete të ndryshme, për vetëdijësimin e qytetarëve për të mos tymosur duhan.
Motoja e këtyre aktiviteteve, sivjet ishte: “Bëhuni Gati Për Paketime të Standardizuara”. Kjo moto nënkupton që, përveç tekstit në pakot e duhanit ku përshkruhet rreziku që paraqet për shëndetin dhe jetën e njeriut, të ketë edhe fotografi, të cilat pasqyrojnë sëmundjet që shkakton tymosja.
Ndryshe, ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi para tri vitesh.
ministri i Shëndetësisë , Imet Rrahmani, ka thënë se ky ligj nuk po zbatohet në masë të kënaqshme dhe, siç thotë ai, ndër shkelësit e këtij ligji janë edhe vetë institucionet publike, pavarësisht se ato do të duhej të ishin shembull i promovimit dhe respektimit.
“Në kohën kur duhanpirja po konsiderohet si epidemi globale dhe pasojat e saj konsiderohen me të drejtë me ato të armëve për shkatërrim në masë, është obligim i shoqërisë, institucioneve dhe të gjithë neve që të fokusohemi në zvogëlimin e këtyre pasojave për të siguruar një mbrojtje efikase të shëndetit publik”, është shprehur Rrahmani.
“Fakti që duhani vret në çdo 6.5 sekonda nga një person, pra që lidhet me sëmundjet që shkakton duhani, është një argument i mjaftueshëm për të mobilizuar gjithë potencialin institucional e profesional, në reduktimin e pasojave të këtij produkti”, është shprehur ai.
Edhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka folur për atë se sa po zbatohet ligji për kontrollin e duhanit, në Ditën Botërore Kundër Duhanit.
“Mendoj se ligji për kontrollin e duhanit, i miratuar në Kosovë, kohëve të fundit po shënon ngecje në zbatimin e tij. Kjo ndodhë për shkak të mungesës së përkushtimit dhe vetëdijes institucionale, si në nivelin qendror, ashtu edhe atë lokal. Kjo ditë ka për qëllim t’i vetëdijësojë ata që kanë ndikim në opinionin publik, në zbatimin e këtij ligji”, ka thënë Agani.
“Unë do doja sot që të kemi një angazhim të fuqishëm të të gjithë bartësve të institucioneve të vendit, e jo vetëm atyre të shëndetësisë. Gjithashtu edhe gjithë operatorëve ekonomik, në zbatimin e këtij ligji. Mendoj se duhet ngritur edhe vetëdija e qytetarëve për zbatimin e ligjit”, ka theksuar ministri Agani.

Exit mobile version